Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës, ka përcjellë një mesazh urimi për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke vlerësuar rolin e tyre në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së vendit. Në mesazhin e saj, presidentja e ka cilësuar Ushtrinë e Kosovës si një nga arritjet e rëndësishme të shtetësisë, e ndërtuar mbi aspiratën e brezave për liri, pavarësi dhe siguri. Ajo ka theksuar se themeli historik i saj lidhet me sakrificën e popullit dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si Presidente e Republikës dhe Komandante Supreme, Shiroka-Pula ka ritheksuar përkushtimin për fuqizimin e FSK-së, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe krijimin e kushteve që kjo forcë të jetë gjithnjë e më moderne dhe profesionale. Një rëndësi të veçantë në mesazhin e saj i ka kushtuar partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë, duke vënë në pah synimin për ndërtimin e një force të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve të NATO-s dhe të gatshme për të kontribuar në sigurinë ndërkombëtare. Në këtë përvjetor, presidentja ka përkujtuar me nderim Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, sakrifica e të cilëve, sipas saj, mbetet burim frymëzimi dhe përgjegjësie për brezat e sotëm. Në përfundim të mesazhit, Shiroka-Pula ka uruar të gjithë burrat dhe gratë e uniformuar të FSK-së, duke theksuar se ruajtja e lirisë dhe shërbimi ndaj atdheut janë përgjegjësi e përbashkët. Urime 27 Nëntori – Dita e Forcës, të gjithë pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
