leoni

Është shënuar 18 vjetori i Masakrës së Izbicës

Në Izbicë është mbajtur tubim përkujtimor kushtuar 18 vjetorit të Masakrës së Izbicës ku më 28 mars të vitit 1999 nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe u vranë 150 shqiptarë të Izbicës dhe fshatrave për rreth.

Në hapje të këtij manifestimi përkujtimor, Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule në Kompleksin e varrezave të Izbicës. Ai më këtë rast ka takuar dhe ka ndarë dhimbjen me familjarët e të rënëve të Izbicës.

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura para të pranishmëve në emër të Komunës së Skenderajt dhe Kryetarit Sami Lushtaku ka shprehur përkushtimin e institucioneve lokale që të punojnë në të mirë të këtij vendi, për të cilin luftuan, ranë dhe u sakrifikuan të gjithë ata burra e gra, djem e vajza, pleq e fëmijë të këtij vendi.

“Lufta për liri e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës solli lirinë në këtë vend, por bashkë më të solli edhe dhimbjen për humbjet e më të dashurve tanë. Secili nga ne sot ka një histori të dhimbshme dhe krenare për heroizmin dhe sakrificën e vëllezërve dhe motrave tona, për heroizmin dhe sakrificën e baballarëve dhe nënave tona”, tha z. Nura.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së para të pranishmëve ka folur Xhavit Jashari. Ai në fjalën e tij ka kërkuar nga institucionet angazhim për ndjekjen e kriminelëve që kanë kryer këtë masakër dhe masakrat e tjera në Kosovë.

Historikun e ngjarjes e ka shpalosur Xhavit Aliu, i cili në fjalën e tij ka evokuar kujtime nga ngjarjet e 18 viteve më parë, në cilësinë e njeriut që i ka jetuar dhe parë me sytë e tij aktet barbare të ushtrisë dhe paramilitarëve serbë mbi trupat e civilëve të pafajshëm.

Në manifestimin përkujtimor kushtuar Masakrës së Izbicës, përveç familjarëve të shumtë kanë marrë pjesë udhëheqës institucionalë qendrorë dhe lokalë, veteranë dhe invalidë të luftës së UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …