Ferizaj gjallërohet me sport e art në kuadër të Mural Fest

Hapësirat publike të Ferizajt u kthyen në arenë të sportit, artit dhe aktiviteteve rekreative, në kuadër të edicionit të sivjetmë të Mural Fest. Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS) – Sektorin e Sportit, duke sjellë një program të veçantë për qytetarët, me fokus të veçantë te fëmijët dhe të rinjtë.

Përgjatë zonës këmbësore dhe hapësirave pranë hekurudhës, pjesëmarrësit patën mundësi të angazhohen në aktivitete të ndryshme sportive, rekreative dhe artistike. Basketbolli, volejbolli, pingpongu, tenisi, kick-boxi, CrossFit-i dhe shahu ishin pjesë e programit, krahas lojërave tradicionale të rrugës.

Aktiviteti krijoi një atmosferë të veçantë në qendër të qytetit, ku sporti dhe arti u ndërthurën me jetën e përditshme të komunitetit. Qytetarët nuk ishin vetëm spektatorë, por patën mundësi të bëhen pjesë aktive e aktiviteteve dhe të provojnë disiplina të ndryshme sportive.

Në këtë organizim u përfshinë edhe klubet sportive të Ferizajt, të cilat prezantuan punën dhe disiplinat që zhvillojnë. Përmes aktiviteteve praktike, fëmijëve dhe të rinjve iu ofrua mundësia të njiheshin më nga afër me sportet dhe të merrnin pjesë drejtpërdrejt në to.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gazmend Bytyqi, ka vlerësuar rëndësinë e aktiviteteve që sjellin sportin, artin dhe të rinjtë në hapësirat publike të qytetit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat dhe klubet lokale në krijimin e aktiviteteve gjithëpërfshirëse për komunitetin.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, DKRS ka mbështetur realizimin e aktivitetit, me synim që hapësirat publike të shfrytëzohen për sport, rekreacion, kulturë dhe aktivitete që nxisin pjesëmarrjen e qytetarëve.

Një rol të rëndësishëm në aktivitet patën edhe klubet sportive të Ferizajt, të cilat me prezantimin e disiplinave të tyre krijuan mundësi për fëmijët dhe të rinjtë që të njihen më afër me sportet dhe të zbulojnë interesat e tyre.

DKRS ka shprehur gjithashtu mirënjohje për drejtoreshën e Mural Fest, Fortuna Haziri, për bashkëpunimin e vazhdueshëm, përkushtimin dhe kontributin në sjelljen e aktiviteteve kulturore e kreative në qytet.

Përmes ndërthurjes së artit, sportit dhe aktiviteteve komunitare, Mural Fest edhe këtë vit i dha një dimension të veçantë jetës publike në Ferizaj, duke i kthyer hapësirat e qytetit në vende të takimit, kreativitetit, sportit dhe pjesëmarrjes qytetare.

Kontrolloni gjithashtu

Filloi zbatimi i premtimit për sigurimin shëndetësor të fëmijëve në çerdhe

Ka filluar zbatimi i premtimit të Kryetarit të Komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi për …