Në fshatin Seçishtë të komunës së Hanit të Elezit me një aktivitet rasti kanë filluar punimet për realizimin e projektit “Aksione të përbashkëta për mbrojtje të mjedisit përmes përmirësimit të sistemit të kanalizimit dhe ujërave të zeza”. Me këtë rast kryetari i Komunës Rufki Suma tha se projekti financohet nga Unioni Evropian në kuadër të programit për bashkëpunim ndër-kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut përkatësisht Komunës së Hanit të Elezit dhe komunës Gazi Baba nga Shkupi. Komuna e Hanit të Elezit dhe komuna Gazi Baba nga Shkupi janë përfituese e fondit të Komisionit Evropian nga Instrumenti i Ndihmës së Para- Anëtarësimit (IPA II) i cili është instrumenti kryesor financiar për të siguruar mbështetjen e BE-së për përfituesit në zbatimin e reformave me synim përafrimin me BE-në. Me këtë projekt do të realizohet ndërtimi i rrjetit të ujërave të zeza dhe kanalizimeve në fshatin Seçishtë të Komunës së Hanit të Elezit. Për të realizuar këtë projekt do të investohen 167.518,22 euro prej të cilave komuna e Hanit të Elezit do të bashkëfinancoi me 20% të vlerës. Projekti pritet të realizohet për 6 muaj përkatësisht deri në mesin e vitit 2021.