KFOR-i italian dhuroi pajisje mjekësore për QKMF-ën në Malishevë

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ka qëndruar komandanti i grupit shumëkombësh luftarak-perëndim të KFOR-it, kolonel Gianfranco Di Marco, i shoqëruar edhe nga shoqata nacionale alpine, seksioni Trento, të cilët i kanë dhuruar një donacion në pajisje mjekësore për QKMF-në në Malishevë. KFOR-i italian dhe përfaqësuesit e kësaj shoqate italiane, janë pritur nga drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Liridon Hoti dhe drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, të cilët e kanë falënderuar KFOR-in dhe shoqatën italiane, për këtë donacion domethënës. Donacioni i sjellë përmes KFOR-it italian, nga shoqata nacionale alpine, seksioni Trento nga Italia është, dy defribilator dhe një elektrokardiogram (EKG), të cilët kanë qenë shumë të nevojshëm për QKMF-në në Malishevë. Në emër të Komunës së Malishevës, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti e ka falënderuar KFOR-in dhe shoqatën italiane, për këtë donacion që sipas drejtorit Hoti, kanë rëndësi të madhe për vet QKMF-në dhe popullatën e Malishevës. Drejtori Hoti, gjithashtu e ka falënderuar KFOR-in dhe popullin italian për mbështetjen e vazhdueshme për vendin tonë, e sidomos nga koha e luftës, e deri më tani, pasi në vazhdimësi ka qenë afër popullit të Kosovës.Edhe drejtori i QKMF-së, Nuhi Morina, e ka falënderuar KFOR-in italian dhe shoqatën italiane, e cila e ka sjellë këtë donacion për qendrën mjekësisë në Malishevë. “Faleminderit për donacionin e dhënë për QKMF-në dhe popullatën e Malishevës, sepse këto mjete përveç se do jenë në shërbim të pacientëve në nevojë, na ndihmon edhe neve në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, tha drejtori i QKMF, Nuhi Morina. Komandanti i KFOR-it italian, kolonel Gianfranco Di Marco, duke marrë fjalën në këtë rast, ka thënë se “roli i KFOR-it ka qenë ndërmjetësues me shoqatën italiane, por shpresoj se këto mjete do të shërbejnë në punën tuaj që bëni çdo ditë këtu, në shërbim të popullatës”. Edhe përfaqësuesit e Shoqatës Nacionale Alpine, seksioni Trento, kanë thënë se “shoqata e tyre i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së KFOR-it për sjelljen e këtyre mjeteve dhe shprehën kënaqësinë e tyre për mundësinë që kanë pasur si shoqatë, për të ofruar këtë mbështetje për popullatën vendore”.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti inspekton punimet në projektin ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka vizituar nga afër punimet që po zhvillohen …