KKSB i Vitisë vlerësoi gjendjen e sigurisë të qetë dhe u raportua për rënie të rasteve të vjedhjeve e dhunës në familje

Është mbajtur sot mbledhja e radhës e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), e cila u kryesua nga zv.kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.

Gjatë këtij takimi, gjendja e sigurisë në komunë u vlerësua e qetë dhe stabile, pa incidente që do të cënonin rendin dhe sigurinë publike. Komandanti i Stacionit Policor në Viti, kapiten Afrim Halili, prezantoi raportin mujor të situatës së sigurisë, duke theksuar se është shënuar rënie e ndjeshme e rasteve të dhunës në familje, si dhe e rasteve të vjedhjeve.

Sipas komandant Halilit, gjatë kësaj periudhe është vërejtur rritje e numrit të gjobave në trafik, si pjesë e masave për parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e një klime të sigurt për qytetarët. Ai potencoi gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm të Policisë në aktivitetet e komunitetit, duke përmendur prezencën e tyre në turnirin sportiv në Skifteraj dhe atë që po mbahet aktualisht në Beguncë.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe përgatitja për menaxhimin e fluksit të shtuar të bashkatdhetarëve, të cilët pritet të vijnë gjatë sezonit veror për pushime në Kosovë. Po ashtu, një temë tjetër e rëndësishme ishte çështja e menaxhimit të mbeturinave në Komunën e Vitisë, ku u theksua nevoja për angazhim të përbashkët të institucioneve dhe qytetarëve për të ruajtur pastërtinë dhe mjedisin.

Në fund të takimit u bë thirrje për bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, policisë dhe qytetarëve, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme në komunë.

Kontrolloni gjithashtu

KQZ maqedoni

Komuna Malishevë: KQZ fton qytetarët nga diaspora në takime për t’u informuar mbi procesin zgjedhor, 11 – 29 gusht 2025

KQZ fton qytetarët nga diaspora në takime për t’u informuar mbi procesin zgjedhor, 11 – …