Kryetari i komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj përmes profilit të tij në facebook, ka njoftuar se komuna e Deçanit është përfituese e iniciativës WiFi4WB, projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë, përmes programit EU4Digital.
Falë këtij projekti, do të vendoset rrjeti publik Wi-Fi falas në këto tri lokacione kryesore:
1.Qendra e qytetit – Deçan
Zonë e frekuentuar nga qytetarë dhe turistë, me mbulim të gjerë të hapësirës.
2.Qendra Inforumuese Turistike – Deçan
Një pikë orientuese për turistët vendorë dhe të huaj, duke u ofruar qasje në internet për të siguruar informata të nevojshme dhe të domosdoshme për aktivitetet e tyre.
3.Qendra Rinore “Fetnete Ramosaj”
Hapësirë multifunksionale me zyra, ambiente për aktivitete kulturore e sportive, si dhe pikënisje për ecje malore në Bjeshkët e Deçanit. Kjo qendër, e frekuentuar çdo ditë nga të rinjtë, do të përfitojë shumë nga ky shërbim, duke u mundësuar atyre lidhje të shpejtë e të sigurt për mësim, aktivitete rinore dhe zhvillime kreative.
Zbatimi i këtij projekti do të bëhet nga Telekomi i Kosovës – Vala, që do të kujdeset për të gjitha aktivitetet në vend.
Ky është një lajm i madh për komunën tonë dhe një hap i rëndësishëm drejt dixhitalizimit, modernizimit dhe përmirësimit të jetës së përditshme për secilin prej jush, ka shkruar në facebook, kryetari Ramosaj.