Ferizaj – Kujdes maksimal ndaj rrezikut nga zjarret, situatë e vështirë në Mirashë dhe Rahovicë
Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave e Komunës së Ferizajt ka apeluar te qytetarët që gjatë periudhës së verës të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë, pasi temperaturat e larta dhe era mund të favorizojnë përhapjen e tyre.
Që nga dita e djeshme, në zonat malore të fshatrave Mirash dhe Rahovicë është aktivizuar një zjarr i përmasave të mëdha. Ekipet e zjarrfikësve po punojnë intensivisht për ta vënë nën kontroll, por terreni i vështirë e ka bërë procesin sfidues.
Në ndihmë të tyre janë angazhuar edhe banorët e fshatit Mirash të cilët po ndihmojnë vullnetarisht për shuarjen e flakëve. Sipas zyrtareve, aktualisht nuk ka rrezik , pasi zjarri është i lokalizuar në zona të largëta malore.
Në terren për të parë nga afër situatën dhe për të koordinuar veprimet kanë qenë edhe Drejtori i Shërbimeve Publike, Alberton Sahiti, dhe Skënder Kurti, të cilët kanë shprehur mirënjohje për punën e zjarrfikësve dhe përkushtimin e vullnetarëve.
Drejtoria ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve për parandalimin e fatkeqësive të tilla dhe ka bërë thirrje që të respektohen masat mbrojtëse, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë.