Brickos

Komuna e Malishevës përkujton 23 vjetorin e Masakrës së Burimit

Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati, është shënuar 23 vjetori i Masakrës së Burimit, ku 23 vite më parë, forcat ushtarake dhe policore  të shtetit serb, kryen masakrën më të madhe në Komunën e Malishevës, e që njihet si masakra e Burimit, ku u vranë dhe më pas u masakruan 42 civil, kryesisht nga fshatrat Astrazup dhe Dragobil, si dhe tre qytetarë të Komunës së Suharekës, të cilët ishin të strehuar me familjet e tyre në fshatin Dragobil. Shënimi i kësaj date sot ka nisur me një mbledhje përkujtimore që është mbajtur në Asamblenë Komunale, ku kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, në një fjalë rasti të kësaj mbledhje përkujtimore tha se, “forcat ushtarake dhe policore serbe në pamundësi që të shpartallonin UÇK- në, në shumë fshatra dhe qytete të Kosovës, kryen një gjenocid të rëndë ndaj popullatës së pafajshme civile, dhe një ndër masakrat më të rënda që u kryen ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare ishte edhe Masakra e Burimit, ku forcat serbe nuk u kursyen, duke bërë masakër në fëmijë, të moshuar, të hendikepuar e persona me nevoja të veçanta”. “Fatkeqësisht, për këtë masakër, deri më sot, nuk është dënuar asnjë kryes i këtij krimi të rëndë dhe asnjë urdhërdhënës për vrasjen.  Familjarët kërkojnë drejtësi, dhe në funksion të kësaj, si kryetar i Komunës së Malishevës, do të jem në krye të përgjegjësisë, për të shfrytëzuar të gjithë mekanizmat e duhur institucional, që të kërkojmë që rasti i masakrës së Burimit, të ndriçohet dhe autorët e këtij krimi, të dënohen”, tha mes tjerash kryetari Kastrati. Edhe Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Argjend Thaçi, në fjalën e tij përkujtuese u shpreh, se ”në këtë përkujtim pas 23 viteve, kujtojmë më të dashurit tanë dhe bashkëqytetarët, që me jetën dhe gjakun e tyre, sollën lirinë e Kosovës, prandaj ju përulemi dhe i nderojmë përherë të rënët e kësaj masakre”. Në emër të  familjeve të të rënëve, foli Adem Morina. Më pas, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati i shoqëruar edhe nga nënkryetari, Vesel Krasniqi, së bashku me qeverinë komunale, dhe me anëtarët e Kuvendit të Komunës, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, Familje të Dëshmorëve, përfaqësues të Bashkësive Fetare në Malishevë, dhe qytetarë e zyrtarë të shumtë, kanë bërë homazhe në vendin e rënies te Vrella e Mëhillit në fshatin Burim si dhe te varrezat ku prehen trupat e tyre në fshatin Dragobil.

Mund të jetë një imazh i 12 persona, njerëz në këmbë, pemë dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

E enjtja, dita e takimeve me qytetarët e komunës së Rahovecit

Të gjithë ata që shkuan për t’u takuar me udhëheqësin e komunës së Rahovecit dhe …