Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të Komunës së Malishevës, ish-drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ushtarit dhe invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtarit të shquar, Hajdin Berisha, u mbajt një mbledhje përkujtimore nën organizimin e Kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Në këtë mbledhje morën pjesë kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, deputetja Arbëresha Krasniqi, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale, bashkëluftëtarë, ish-kryetarë të komunës, deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, OVL-UÇK – Dega në Malishevë, familjarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët e nderuan jetën dhe veprën e tij.
Në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të ish-nënkryetarit të Komunës së Malishevës, ish-drejtorit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veteranit dhe veprimtarit të kombit, Hajdin Berisha, u zbulua edhe pllaka te varri në fshatin Gurbardhë, vendlindjen e tij, ku ai prehet në përjetësi. Pllaka u vendos në nderim të jetës dhe veprës së tij, duke përkujtuar kontributin e madh si luftëtar i lirisë, drejtues institucionesh dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Me këtë rast, Kryetari i Komunës, z. Ekrem Kastrati, theksoi se, Hajdin Berisha ishte një personalitet i rrallë, i cili jetën e tij ia kushtoi atdheut dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Vepra dhe kujtimi i tij do të mbeten përherë frymëzim për brezat që vijnë. Komuna e Malishevës do të kujdeset që emri dhe trashëgimia e Hajdin Berishës të jenë gjithmonë të nderuara dhe të respektuara, tha kryetari Kastrati.
Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, dhe kryetari i NISMA’s, z. Fatmir Limaj – komandant Çeliku, në fjalën e tij tha se, sot jemi mbledhur këtu për të nderuar jetën dhe veprën e një njeriu që i dha shumë vendit, komunitetit dhe shoqërisë sonë. Hajdin Berisha nuk ishte thjesht një bashkëqytetar, por një shok i idealit, një bashkëluftëtar dhe një udhëheqës i përkushtuar. Në UÇK ai tregoi guxim dhe vendosmëri, duke u bërë pjesë e atij brezi që sakrifikoi gjithçka për lirinë. Pas luftës, ai e vazhdoi betejën në një tjetër front – atë të ndërtimit të institucioneve, të shërbimit ndaj qytetarëve dhe të mbrojtjes së vlerave që fituam me gjak e sakrificë.
Si ish-nënkryetar i Komunës së Malishevës dhe ish-drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Hajdini u shqua për ndershmëri, përkushtim dhe dashuri për njerëzit. Ai ishte shembull i politikanit që nuk e përdori pushtetin për vete, por e pa atë vetëm si mjet për t’i shërbyer qytetarëve.
Hajdin Berisha do të kujtohet gjithmonë si një atdhetar i palodhur, një njeri i fjalës e i besës, dhe një mik i madh i secilit prej nesh. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë, jo vetëm në familjen e tij dhe tek ne shokët e bashkëluftëtarët, por në gjithë Malishevën dhe më gjerë, tha në fund të fjalës së tij, kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj.
Fjalë rasti në këtë mbledhje përkujtimore mbajtën edhe Muhamet Xhyliqi, sekretar i OVL-së në Malishevë, si dhe Afrim Berisha, bashkëvendës dhe bashkëluftëtar i Hajdinit.
Në fund, në emër të familjes së Hajdin Berishës, Endrit Berisha falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin e familjes.