leoni

Komuna e Vitisë pranon donacionin e aparaturës së mamografit digjital nga kompania “Medika”

Në një ceremoni të veçantë, Komuna e Vitisë ka pranuar sot një donacion me rëndësi të madhe për shëndetin e qytetarëve – aparaturën e mamografit digjital, dhuratë nga kompania “Medika”.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm kryetari i komunës, Sokol Haliti, i cili falënderoi kompaninë donatore për kontributin e dhënë dhe theksoi se parandalimi i sëmundjeve të rënda nuk mund të bëhet pa pajisje adekuate. “Ky donacion do të ndihmojë jashtëzakonisht shumë, pasi aparatura e mamografit është jetike për diagnostikimin dhe parandalimin e hershëm të sëmundjeve”, tha Haliti.

Në shenjë mirënjohjeje për këtë gjest fisnik, kryetari Haliti ndau mirënjohje për udhëheqësit e kompanisë “Medika”, Arbër Ukelli dhe Ardian Merovci, të cilët morën pjesë në ceremoni.

Po ashtu, edhe drejtoresha e QKMF-së në Viti, Vjollca Kadolli, ndau një mirënjohje për kompaninë “Medika”, duke theksuar se kjo aparaturë do të lehtësojë punën e mjekëve dhe do t’u përgjigjet kërkesave të shumta të qytetarëve për kontrolle. “Kemi pasur një mungesë të madhe për këtë lloj aparature dhe kërkesa të shumta nga pacientët, prandaj ky donacion është shumë i mirëpritur”, u shpreh Kadolli.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e kompanisë “Medika” deklaruan se këtë vit kanë përzgjedhur komunën e Vitisë për të përfituar donacionin, duke shtuar se mbështetja e sektorit shëndetësor është pjesë e angazhimit të tyre shoqëror.

Ky donacion pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në komunën e Vitisë, duke i mundësuar qytetarëve qasje më të shpejtë dhe më të sigurt në kontrolle parandaluese.

Kontrolloni gjithashtu

Ferizaj së shpejti me Stadium të Ri të Qytetit

Kryetari i komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu përmes një postimi në llogarinë e tij …