Komuna e Vitisë është ranguar ndër tri komunat më transparente për vitin 2018 në Kosovë dhe atë në Transparometrin Komunal 2018, që u publikua pas një hulumtimi njëvjeçar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e që është mbështetur nga Ambasada Britanike në Kosovë. Me këtë rast Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka mbajtur edhe një fjalë rasti ku ka folur për përkushtimin e komunës që ai udhëheqë në rritjen e vazhdueshme të transparencës. Ai shtoj se me këtë ata synojnë që qytetarët vitias të mbahen të informuar dhe të jenë pjesë të vendimmarrjes në këtë komunë. Përndryshe Komuna e Vitisë, është vlerësuar në Transparometrin Komunal 2018 me 72.88% ose 86 pikë me të cilën u rangua ndër tri komunat më transparente në Kosovë. Ndërkaq në ceremoninë që është zhvilluar sot në Prishtinë, pos kryetarit Haliti kanë marrë pjesë edhe: Naim Pira, Kryesues i Kuvendit Komunal, Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim dhe të tjerë. Pas këtij takimi kryetari Haliti ka takuar edhe ambasadorin Britanik në Kosovë, Ruair O’Connell.