Kryetari i komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti ka marrë pjesë në organizimin e Ligës së Futsallit në Viti. “Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem prezent në organizimin e Ligës së Futsallit në Viti, një iniciativë e mrekullueshme e Rinisë së qytetit tonë dhe e komunitetit sportdashës që çdo ditë po dëshmon se Vitia ka shpirt, pasion dhe vizion!
Ky organizim është vetëm fillimi i një vizioni largpamës, krijimit të klubit të futsallit të qytetit tonë, me lojtarë vendas, pasion të pastër dhe ambicie të mëdha për të përfaqësuar Vitinë me krenari në garat e Republikës.
Me gjithë zemër ua mundësuam zhvillimin e kësaj lige në palestrën moderne sportive të re të shkollës “Dëshmorët e Vitisë”, duke menduar jo thjeshtë për një garë, por për një hap më të madh në drejtim të zhvillimit të sportit, përgatitjes së të rinjve tanë dhe krijimit të mundësive të reja për ta.
Krenar me rininë tonë plot talent, me zemër të madhe e shpirt gare! Jeni fantastik”, ka shkruar në facebook, kryetari Haliti.