Kryetari Aliu mbajti takimin e parë publik me qytetarët, diskutohet edhe Korniza Afatmesme Buxhetore 2026–2028

Të mërkurën është mbajtur takimi i parë publik i Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, me qytetarët, ku u diskutuan të arriturat, sfidat dhe projektet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, si dhe Korniza Afatmesme Buxhetore për periudhën 2026–2028.

Takimi mblodhi një numër të madh qytetarësh, përfaqësues të fshatrave dhe zonave urbane, përfaqësues të mediave dhe të shoqërisë civile, të cilët për disa orë diskutuan dhe parashtruan pyetje e shqetësime lidhur me nevojat dhe prioritetet e komuniteteve të tyre. Gjatë diskutimit, u theksuan investimet e realizuara nga Komuna e Ferizajt në të gjitha fshatrat dhe zonat urbane, për të cilat përfaqësuesit lokalë shprehën falënderime për qeverisjen komunale.

Në hapje të takimit, Kryetari Aliu informoi të pranishmit për punët dhe projektet e realizuara, si dhe për aktivitetet që kanë shënuar gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ai theksoi se Komuna ka vazhduar me përmbushjen e zotimeve dhe planifikimit financiar, si pjesë e angazhimeve të saj ndaj qytetarëve.

“Në vitin 2025, mbajtëm në fuqi vendimin përmes së cilit zbritet për 33% tatimi në pronë për vitin 2025, një vendim ky që sjellë barazi dhe drejtësi si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Ferizaj u vlerësua Komunë Kampione nga Instituti GAP, me shkallën 100% të shpenzimit të buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale, e dhënë kjo që flet për përkushtimin tonë që resurset buxhetore komunale t’i orientojmë në qindpërqindshin e tyre në të mira publike, vepra madhore në dobi të qytetarëve.

Në këtë periudhë 6 mujore të vitit 2025, morëm vlerësimin më të lartë për transparencën komunale ku Ferizaj u shpall Kampion i Kosovës për Transparencë Komunale, vlerësim ky në kuadër të Transparometrit Komunal 2024, instrument i zhvilluar nga Instituti Demokratik i Kosovës, përmes së cilës matet e vlerësohet niveli i transparencës komunale për Komunat e Kosovës”, ka thënë Aliu.

Në këtë takim, Kryetari Aliu foli edhe për investimet që janë bërë në fushën e infrastrukturës. Ai theksoi disa nga projektet e realizuara deri më tani, duke përmendur edhe projektet që janë në fazën përfundimtare dhe pritet të përmbyllen së shpejti, veçanërisht ato që po zhvillohen në zemër të qytetit. Sipas tij, këto investime janë dëshmi e përkushtimit të Komunës për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin urban të Ferizajt.

“Pak ditë na ndajnë nga përurimi i megaprojektit të transformimit urban, nënkalimit të ri tek Stacioni i Policisë në Ferizaj, një vepër e jashtëzakonshme infrastrukturore, që i jep Ferizajt përmasa të reja zhvillimi urban, infrastrukturor e rrjedhimisht edhe zhvillimi ekonomik.

Po zhvillojmë punimet në modernizimin e infrastrukturës rrugore në gjithë kuartin në afërsi të nënkalimit të ri tek Stacioni i Policisë, përmes rikonstruktimit e kthimit në rrugë model të rrugës “Brigada 161”, rikonstruktimin rrënjësor të rrugës “Bedri Asllani”, rikonstruktimit të pjesshëm të rrugës “Driton Islami” dhe lidhjes së saj me rrugën “Cen Dugolli” ku tashmë kemi shndërruar gjithë atë zonë në afërsi të Stacionit të ri të Autobusëve, me rrethrrotullimin e ri që rrit sigurinë e qarkullimit si dhe me ishujt e gjelbërt e gjithë infrastrukturën përcjellëse që kemi krijuar në këtë arterie rrugore.

Filluam punimet për rikonstruktimin tërësor të rrugës Ferizaj-Pleshinë, bashkëfinancim me Ministrinë, po vijojmë punimet në rikonstruktimin e rrugës “Tahir Sinani” – rrugë kjo me rëndësi të jashtëzakonshme të lidhjes së qendrës së qytetit me zona tjera të qytetit.

Përfunduam në tërësi, rrugën Pleshinë – Kashtanjevë, një arterie rrugore kjo prej 11.5 kilometrave, që çliron potencialin turistik të Bjeshkëve të Pleshinës dhe gjithë zonës përskaj, një mundësi e shtuar për turizmin malor në Ferizaj.

Në kuadër të mirëmbajtjes së rrugëve të qytetit, rregulluam rrugën “Nora Kelmendi” në qytet, arterie kjo me rëndësi për komunikimin rrugor mes zonave të ndryshme të qytetit, ndërsa janë asfaltuar 2 kilometër rrugë në fshatin Gaçkë, investim ky që lehtëson qarkullimin e banorëve të këtij fshati dhe zonave përreth duke lidhur Gaçkën me fshatin Gurëz dhe qasjen e tyre në autostradë.

Asfaltuam dhjetëra rrugë në fshatrat e Ferizajt, me qëllim zhvillimin e tyre dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët, si në fshatrat Komogllavë, Pleshinë, Neredime, Kosinë, Saraishtë, Dardani, Zllatar, Prelez të Jerlive, Zaskok e të tjera”, ka potencuar Aliu.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, gjatë këtij takimi publik njoftoi qytetarët se mandati aktual i qeverisjes së tij i ka kushtuar një vëmendje të veçantë çështjeve të mjedisit. Ai theksoi se përmbushja e zotimeve në këtë fushë ka qenë ndër prioritetet kryesore të Komunës. Si rezultat i këtij angazhimi, Ferizaj është shpallur Kampion i Kosovës në Fletënotimin Mjedisor të Komunave, një vlerësim që i është dhënë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për rezultatet konkrete në përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Me hapa të shpejt po përparojmë drejt përfundimit të punëve në rregullimin e Parkut në Kodrën e Sherretëve – një projekt unik ky në gjithë vendin, me ballkonin panoramik e rivitalizimin e gjithë zonës në një park të ri të qytetit. Po kështu, po vijojmë punët edhe në zgjerimin e Parkut të Lirisë si dhe rregullimit të amfiteatrit në këtë park, pasurisë sonë të jashtëzakonshme natyrore, e cila përmes këtij investimi shumëfishon hapësirën e saj në shërbim të qytetarëve;

Sipas konceptit të miniparqeve, Ferizajt iu shtua edhe një park i ri e kënd lojërash për fëmijë, në rrugën “Sali Çeku” në qytet, poashtu Ferizaj është përfitues i investimit prej afro 400 mijë eurove për rregullimin e parkut në fshatin Varosh, projekt ky në kuadër të investimeve tona për infrastrukturën turistike”, tha Aliu.

Ai u ndal edhe në fushën e shërbimeve publike, duke përmendur përurimin e një prej veprave të reja identitare të Ferizajt – Stacionin e Ri të Autobusëve, ndërtuar në një hapësirë moderne, funksionale dhe të lidhur mirë me trafikun urban e ndërurban.

Në fushën e arsimit, Kryetari theksoi përkushtimin e komunës për përkrahjen e të rinjve, duke veçuar ndarjen e bursave për të gjithë studentët që kanë aplikuar, një mbështetje që lehtëson edhe barrën financiare të familjeve të tyre.

Po ashtu, ai përmendi investimet e realizuara në fusha të ndryshme si: shëndetësia, bujqësia, zhvillimi ekonomik dhe turizmi, si dhe në kulturë, rini dhe sport.

Një theks i veçantë iu kushtua edhe fushës së mjedisit, ku Kryetari Aliu theksoi se mandati aktual qeverisës i ka kushtuar vëmendje të shtuar kësaj fushe. Si rezultat, Komuna e Ferizajt është shpallur “Kampion i Kosovës” në Fletënotimin Mjedisor të Komunave, një vlerësim ky nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për përmbushjen e zotimeve dhe angazhimin konkret në mbrojtjen e mjedisit.

Në pjesën e fundit të takimit, Kryetari Aliu prezantoi Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026–2028, duke theksuar se për vitin 2026 është planifikuar një buxhet total prej 53,068,494.00 euro, nga të cilat 13,230,000.00 euro janë të dedikuara për investime kapitale, ndërsa rreth 2,500,000.00 euro për subvencione dhe transfere.

Qytetarët e pranishëm vlerësuan lartë punën dhe angazhimin e Kryetarit Aliu dhe shprehën mirënjohje për projektet që janë realizuar. Gjatë diskutimit, ata parashtruan një sërë kërkesash, përfshirë: rregullimin e rrugëve dhe trotuareve,  shtrimin me zhavorr të rrugëve bujqësore, përmirësimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit, ndërtimin e fushave sportive si dhe rregullimin e parqeve publike.

Pyetjeve dhe komenteve të qytetarëve iu përgjigjën drejtorët e drejtorive komunale, ndërsa për shumë çështje konkrete, sqarime shtesë dha edhe vetë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Kontrolloni gjithashtu

Lis Zeneli dhe Jana Pllana fitues të edicionit të sivjemë të Diamond Fest

Festivali i këngës për fëmijë “Diamond Fest” mbajti edicionin e sivjemë me pjesëmarrje të dhjetëra …