Në kuadër të marrëveshjes së binjakëzimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, një delegacion i Komunës së Vitisë, i udhëhequr nga kryetari z. Sokol Haliti, po qëndron për vizitë zyrtare në Kirchhain të Gjermanisë, ku po merr pjesë në punëtorinë disaditore “ORG-VITI”.
Fokusi kryesor i kësaj vizite është menaxhimi i mbeturinave organike dhe shkëmbimi i përvojave në zbatimin e konceptit të ekonomisë qarkulluese. Ky projekt mbështetet nga Fondacioni Gjerman për Mjedis (DBU) dhe synon avancimin e praktikave mjedisore në nivel lokal.
Gjatë hapjes së punëtorisë, kryetari Haliti vlerësoi lart partneritetin ndërmjet dy komunave, duke theksuar se bashkëpunimi tashmë është konkretizuar në disa fusha si niveli institucional, bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Kirchhain-it dhe nivel akademik, bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Gisenit.
Gjatë punëtorisë u bë me dije se po synohet një mjedis më i pastër dhe zhvillim i qëndrueshëm
Në fjalën e tij, kryetari Haliti theksoi se objektivi kryesor i kësaj vizite është transferimi i praktikave të suksesshme gjermane në Komunën e Vitisë.
“Përmes partneriteteve të qëndrueshme po krijohen mundësi konkrete për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave organike. Synimi ynë është që këto praktika t’i zbatojmë në komunën tonë, për të ndërtuar një mjedis më të pastër dhe një të ardhme më të qëndrueshme për qytetarët,” u shpreh ai.
Në kuadër të agjendës zyrtare, delegacioni do të zhvillojë vizita në disa prej pikave më të rëndësishme të infrastrukturës mjedisore në rajonin e Marburg-Biedenkopf, përfshirë:
impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Kirchhain, fshatin e bioenergjisë në Erfurtshausen,
qendrën e biomasës EAM në Stausebach, si dhe do merren praktikat e menaxhimit të mbeturinave në ferma bujqësore
Kjo vizitë pritet të shërbejë si bazë për hartimin e politikave dhe strategjive të reja në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes së efiçiencës në Komunën e Vitisë.
Përndryshe në këtë vizitë po marrin pjesë edhe profesor nga Universiteti i Prishtinës dhe ai i Gissenit.