Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, priti sot në një takim ekipin e ri ndërlidhës të KFOR-it Amerikan që do të veprojë në këtë komunë.
Në këtë takim, togeri i mëparshëm i ekipit ndërlidhës e njoftoi kryetarin Haliti me përbërjen e re të ekipit, i cili do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet komunale dhe komunitetin në Viti. Nga ana e tij, kryetari Haliti e informoi ekipin e ri për të arriturat, projektet dhe sfidat aktuale në komunën e Vitisë, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të mirë me KFOR-in në funksion të sigurisë dhe stabilitetit.
Me rastin e përfundimit të mandatit të ekipit të mëparshëm, kryetari Haliti i ndau një mirënjohje udhëheqësit të deritanishëm të ekipit si shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë gjatë shërbimit në komunën e Vitisë.
Kryetari Haliti vlerësoi rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe mbështetjen që ofrohet për komunitetet lokale, duke theksuar gatishmërinë e institucionit që ai drejton për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me KFOR-in edhe në të ardhmen.