Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, priti në takim atasheun për bashkëpunim në Ambasadën e Francës në Kosovë, z. Frédéric Deshayes, si dhe nënkryetarin e komunës Saint Julien en-Genevois, të shoqëruar nga një grup të rinjsh nga ky qytet francez.
Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit ndërmjet komunës së Vitisë dhe asaj të Saint-Julien-en-Genevois, me theks të veçantë në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe ndërtimin e partneritetit institucional.
Gjatë takimit, palët shqyrtuan draftin e memorandumit të bashkëpunimit, që pritet të nënshkruhet në një afat të afërt. Ky dokument parasheh një sërë iniciativash të përbashkëta, përfshirë shkëmbimin e përvojave në fushën e kulturës dhe sportit, hulumtimin dhe zbatimin e projekteve zhvillimore, si dhe bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë, menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e mjedisit dhe parandalimin e përmbytjeve.
Kryetari Haliti vlerësoi këtë takim si një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme ndërkomunale, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë do të krijojë mundësi konkrete për zhvillim ekonomik dhe shkëmbim përvojash mes të rinjve të të dyja komunave.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit francezë shprehën gatishmërinë për të mbështetur këtë nismë, duke e cilësuar si shembull pozitiv të bashkëpunimit evropian në nivel lokal dhe si mundësi për ndërtimin e urave të reja miqësie mes qytetarëve të Vitisë dhe Saint-Julien-en-Genevois.