Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it italian për Rajonin e Perëndimit, kolonel Lorenzo Mangia. Vizita kishte karakter njohës dhe u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Komunës së Malishevës dhe KFOR-it.
Në fillim të takimit, kryetari Kastrati e uroi kolonelin Mangia për marrjen e komandës dhe e informoi atë për historikun e Malishevës, zhvillimin ekonomik dhe progresin e arritur pas luftës, duke theksuar veçanërisht marrëdhëniet e mira me KFOR-in, e në mënyrë të veçantë me kontingjentin italian.
Nga ana e tij, kolonel Mangia shprehu mirënjohje për pritjen dhe vlerësimin e punës së KFOR-it, duke përgëzuar kryetarin dhe qytetarët për arritjet e deritanishme. Ai vlerësoi Malishevën si një komunë me situatë të qëndrueshme të sigurisë, të angazhuar dhe bashkëpunues.
Të dy palët u shprehën të gatshme për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në funksion të ruajtjes së një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e komunës.