Kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, ka pritur sot në një takim pune përgjegjësin e Zyrës së UNMIK-ut për rajonin Pejë – Prizren, z.Lino Sciarra. Takimi kishte karakter pune, si dhe shërbeu për urimin e kryetarit Kastrati me rastin e marrjes së mandatit të tij të dytë.
Fillimisht, kryetari Kastrati i dëshiroi mirëseardhje në Malishevë z.Sciarra, duke e falënderuar për vizitën, si dhe për bashkëpunimin dhe angazhimin e faktorit ndërkombëtar në Kosovë në përgjithësi, e në Komunën e Malishevës në veçanti.
Nga ana e tij, z.Lino Sciarra e uroi kryetarin Kastrati për mandatin e dytë dhe fitoren pa balotazh, duke theksuar se kjo dëshmon vlerësimin e qytetarëve për punën e bërë gjatë mandatit të parë dhe për angazhimin e tij në drejtimin e komunës.
Gjatë takimit, kryetari Kastrati dhe Sciarra biseduan edhe për zhvillimet e përgjithshme në Komunën e Malishevës, planet e ardhshme zhvillimore, si dhe për vërshimet e fundit dhe gjendjen pas tyre.