Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama me anë të një postimi të tij në facebook, ka kujtuar me nderim dhe pikëllim të thellë figurën e paharrueshme të Nazif Gashit, ikonës së boksit kosovar.
Nazif Gashi nuk ishte vetëm sportist. Ai ishte simbol i forcës, i karakterit dhe i vullnetit të pathyeshëm. Ishte frymëzim për gjenerata të tëra boksierësh, një shtyllë e zhvillimit të sportit në Kosovë dhe, mbi të gjitha, një njeri i mirë, i urtë dhe i respektuar nga të gjithë.
Në çdo ring që ngjitej, ai mbante me vete emrin e vendit dhe krenarinë e popullit të tij. Në çdo fitore të tij ne shihnim pasqyrimin e një Kosove që ngrihet lart, me dinjitet dhe kurajë.
Sot, në mbledhjen komemorative u dëshmua qartë se sa e madhe ishte figura e tij. Nazif Gashi nuk u nda vetëm nga familja dhe miqtë e tij, por nga një popull i tërë që e pa si simbol të krenarisë kombëtare.
Le të jetojë emri i tij në çdo palestër, në çdo ring, në çdo zemër që ëndërron të arrijë majat me ndershmëri, përkushtim dhe punë të palodhur, ashtu siç bëri ai.
Kujtimi për ty do të jetojë me ne, Kampion, thuhet në postimin e kryetarit të Prishtinës, z. Përparim Rama.