Kuvendi i Komunës së Malishevës, nën drejtimin e kryesuesit Fatmir Ademaj, ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit, në të cilën janë shqyrtuar disa çështje me rëndësi për funksionimin e kuvendit dhe për interesin e qytetarëve.
Pas miratimit të dy procesverbaleve nga mbledhjet e kaluara, kuvendi ka miratuar edhe planin e punës për vitin 2026. Po ashtu, anëtarët e kuvendit, pas shqyrtimit, kanë miratuar edhe listën e pronave të paluajtshme komunale për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2026, si dhe kanë shqyrtuar raportin financiar për vitin 2025.
Në mbledhjen e sotme, Kuvendi i Komunës së Malishevës ka formuar edhe Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), si dhe Komisionin Komunal të Aksionarëve për SHA “Stacioni i Autobusëve” dhe për SHA “Eko Regjioni”, njësia në Malishevë.
Gjithashtu, anëtarët e kuvendit kanë miratuar edhe komisionin për organizimin e zgjedhjeve në Këshillat Lokalë në Komunën e Malishevës.
Në këtë mbledhje, kuvendi ka miratuar edhe një kërkesë për subvencionimin e stacionit të autobusëve, si dhe ndarjen e një parcele për grumbullimin e mbeturinave inerte. Për një parcelë tjetër është marrë vendim për bashkimin e saj, për shkak të një procedure juridike që lidhet me një pronë.
Në fund të mbledhjes, në vigjilje të shënimit të “Masakrës së Burimit”, Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të të gjithë civilëve të rënë gjatë luftës së fundit.