Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e dytë të rregullt, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin e komunës dhe u kryesua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi.
Në këtë seancë, fillimisht u shqyrtuan dhe u miratuan procesverbalet e mbledhjes inauguruese, si dhe ai i mbledhjes së parë të Kuvendit Komunal.
Një nga pikat që ngjalli më së shumti diskutime ishte informata, përkatësisht raporti i punës së Kryetarit të Komunës së Vitisë për periudhën janar–dhjetor 2025. Me këtë rast, kryetari i komunës, Sokol Haliti, iu përgjigj pyetjeve dhe çështjeve të ngritura nga asamblistët, duke dhënë sqarime lidhur me aktivitetet dhe angazhimet e realizuara gjatë kësaj periudhe.
Në rend të ditës ishin edhe këto pika, të cilat u shqyrtuan dhe u miratuan nga Kuvendi:
Propozim-vendimi për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, me përbërje prej 7 anëtarësh.
Propozim-vendimi për themelimin e Komitetit për Komunitete.
Shqyrtimi i iniciativës së kryetarit të komunës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së Vitisë.
Propozim-vendimi për themelimin e komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së Vitisë, me ç’rast subjektet e përfaqësuara në Kuvend propozuan emrat e anëtarëve të këtij komisioni.
Propozim-vendimi për nisjen dhe autorizimin e kryetarit të Komunës për bashkëpunim ndërkombëtar me Komunën e Saint Julien en Genevois.
Propozim-vendimi për miratimin e dy anëtarëve të komisionit për vlerësimin dhe përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve në institucionet arsimore të Komunës së Vitisë.
Në fund të seancës, Kuvendi Komunal shqyrtoi edhe propozim-miratimin e raportit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, konkretisht nga vërshimet në Komunën e Vitisë. Pas diskutimit, edhe ky raport u aprovua nga asambleistët.