Brickos

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Plaga ime

Vatra ime legjendë në gurë, paskajshëm të respektoj, të shoh në ëndërr, kuvendoj me ty zgjuar dhe në gjumë… atë ditë marsi ta ktheva shpinën, as sot, nuk e di si ndodhi! Pas më ka mbetur imazhi yt me gra e burra fisnik e të shtruar si në jetë, në punë e në log të burrnisë, në front të luftës për liri e barazi, për shtet ndërtim e jetë më të mirë…

Ca vite më vonë, nën shoqërimin magjeps të peizazheve të vjeshtës, mora rrugën për në Prekazin e lashtë, vendlindjen dhe plagën time të përjetshme, duke kaluar rrugëve gjarpërore të luginave të Likocit, Aqarevës, Kopiliqit, Burojës, Vajnikut, Rakinicës, Rezallës e Llaushës. Vatra këto të lashta sa vet toka, që kanë ndjekur pushtuesit tanë të të gjitha kohëve.

Shtëpitë dhe rrugët e Prekazit prej zemrës së gurit, që kushedi sa e sa burra i ka përpirë dheu i kësaj toke, peizazhe këto, që unë sot, po i shikoja me sytë e zemrës, vend e plagë që nuk kam lënë pa i prekur me dorë, duke e ndier peshën e rëndë të mallit të djegur për atdheun dhe vendlindjen time.

Ne, të degdisur në dhera të huaja, duke e ndier peshën e mallit për ata gurë, të mërguarit tanë deri në skajin e botës së pafund – kush vuajti më shumë përveç shqiptarit(!), nga ku edhe mbeti përjetë fjala e urtë filozofike, fjala e gjallë shqiptare mbledhur në një fjali të thjeshtë kuptimplote: ”Guri rëndë peshon n’vend t’vet!”…

Copëza të pashlyera kujtimi gjatë udhëtimit tim, jetë e varur si sprovë në kandarin e ndërgjegjes, vizitorë të urtë përkulen me respekt para shtatoreve madhështore të Dëshmorëve të Kombit, si bacë Shabanit, Hamzës, Ademit… para shtëpive, kështjella të pakalueshme të rezistencës sonë kombëtare si ato të Jasharajve, Mehajve, Ahmet Delisë, Bislim Kodrës etj. Toponime të ngjashme, të cilave pushtuesi ynë shumëvjeçar është munduar t’ua vrasë kuptimin dhe brumin e gjuhës sonë të lashtë, si Tushilë, Tic, Likoc, Aqarevë, Rezall, Llaushë, Rakinicë, Prekaz e dhjetëra toponimeve tjera të lashta sa vet jeta mbi tokë.

Është me rëndësi të veçantë shkencore që të saktësojmë, dhe bota e civilizuar të marrë mësim nga shqiptarët, se si bashkëjetojnë tri konfesione të ndryshme në një harmoni të plotë shekuj me radhë në hapësirat shqiptare e bujare të Gadishullit Ballkanik, ku bukës i thonë bukë dhe ujit uji, ku të gjithë një zërit luten për të njerëzishmen dhe lirinë- Amen!…

Në tërë hapësirat e tokave shqiptare, që nga kur u krijua kjo tokë, që kur zoti zbriti së pari në vendin tonë, as edhe një herë nuk mbahet mend që të ketë pas konflikte dhe mosmarrëveshje ndër-fetare të besimit të krishterë, mysliman e ortodoks dhe anasjelltas- as edhe një herë, pra kurrë!, kurrë, nga se kombi ynë në rend të parë gjithmonë ka pasur për mision të njerëzishmen, bamirësinë dhe humanizmin, para së gjithash është përpjekur në vazhdimësi për liri dhe bashkim kombëtar, ka respektuar lirinë e popujve tjerë, ka reflektuar gjithmonë sjellje njerëzore dhe mbi të gjitha ka respektuar me bindje të thellë besimin dhe lirinë e secilit, para kulteve të të cilëve është përkulur me respektin më të madh kombëtar e njerëzor.

Duke e mbyllur botën time shpirtërore të këtij udhëtimi, për të mos mbetur zjarri i shpirtit tim të vogël peng i kohës së vrazhdë, na është dashur të bëjmë luftë disavjeçare për të fituar në kohë, megjithatë e rëndësishme është se rrënja jonë mbijetoi përjetësisht. Na është dashur të vuajmë padrejtësisht,  rrugëtimi ynë nëpër histori ishte i gjatë dhe i mundimshëm, më duket se kërkon ende kohë që të kthjellohet për ata që nuk e njohin si duhet historinë e shpirtit tonë krenar e liridashës. Ky rrugëtim nuk ndaloi, eci, vrapoi, nuk u gjunjëzua para misterit të mbijetesës, ra dhe u ngrit përsëri si feniksi i vetëdijshëm se bashkimi ynë në tokë e në qiell është i vetmi shpëtim kombëtar e njerëzor, pa dyshim është edhe forca e jetës sonë të re!

Në hyrje të lagjes së “Gurit të Betimit”, pashë disa fëmijë të cilët po loznin. Ata, as që donin ta dinin për ato që unë po mendoja. Ata, ishin të lumtur me veten e tyre dhe me njëri-tjetrin, ua pata zili. Ata si fëmijë duhet të luajnë e të rriten. Ata duhet t’i gëzohen të ardhmes, por që të kenë të ardhme të lumtur e të sigurt, duhet të dinë edhe për të kaluarën. Duhet të dinë për të gjithë ata që për të mirën e tyre kanë dhënë çdo gjë nga vetja e vet, madje edhe jetën.

U prezantuan; njeri quhej Bua Shpata, tjetri Merkuri, Tjetri Dielli, njeri me tha së quhet Zaharia Gropa, tjetri Guri legjendë, tjetri Toka e madhe, tjetri Guri i Betimit, tjetri ishte Zani, ishte i biri i Trimit, tjetri Lisi e kështu me radhë…

Rruga nëpër të cilën po udhëtoja, jo shumë larg atyre kullave Legjendë, tek po kërkoja të trokisja në portat e tyre të mëdha, ku po troket bota, mbase gjejë fatin tim edhe unë, për t’i dëftuar botës së madhe së kam trokitur në dyert e kullës së Prenkë Kuçit, të Milush Kopiliqit, të Jasharajve, të Tahir Mehës, të Ahmet Delisë, Shaqir Smakës, Azem Bejtës, Nak Berishës, Kamer Loshit, Mehmet Delisë, Qerime Radishevës, Shaban Polluzhës, Mehmet Gradicës, Miftar Bajraktarit, Jetullah Rezallës, Shasivar Alisë e plot e plot kulla të tjera, nga të cilat këta fëmijë, por edhe të tjerët do të mësonin për të kaluarën tonë të lavdishme.

Më kujtohen edhe ditët e sprovës së madhe, ditët kur djemtë e radhitur në grupet e para të njësiteve të UÇK-së, po hidhnin hapat e parë në këto treva për të bërë që këtyre fëmijëve dhe të tjerët që do rritën të mos iu vritet buzëqeshja, as një herë  më.

Edhe sot e gjithë ditën, me mbytë, por nuk më kujtohet së më kishte shkuar ndër mend ndonjë herë që të bëhesha më shumë së kaq sa jam! Isha bërë qull në djersë, tek po kaloja pranë varrezave për të parë se si i kishin rregulluar ato. Ende isha si gjysmë zgjuar dhe gjysmë ëndërr, kur u përmenda, mallkova me gjithë shpirt atë kohë ekstaze që më iku, oh sa bukur ishte të jesh vetja e me këmbë në tokë!

6-12-2021

 

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …