Mbrëmje poetike me poeten Iliriana Baraliu - Lladrovci në Fellbach

Ilirjana Baraliu Lladrovci solli poezinë shqipe para mërgatës në Fellbach

Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart organizoi në Galerinë e Qytetit në Fellbach një mbrëmje poetike me poeten Ilirjana Baraliu Lladrovci, aktivitet që mblodhi dashamirës të letërsisë, kulturës dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Programi u drejtua me profesionalizëm nga moderatorët Rilinda Gega dhe Naser Vrella, të cilët, përmes një komunikimi të ngrohtë dhe të natyrshëm, i dhanë mbrëmjes një rrjedhë dinjitoze dhe artistike.

Në emër të Institutit të Kujtesës Kombëtare Shqiptare, studenti Edon Rafuna përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje të veçantë për familjet e dëshmorëve dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se sakrifica e dëshmorëve dhe lufta heroike e UÇK-së, e mbështetur nga ndërhyrja e NATO-s, sollën lirinë dhe krijimin e shtetit të Kosovës, themelet e të cilit janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.

Poetja Ilirjana Baraliu Lladrovci lexoi disa nga poezitë e saj të përfshira në veprën “Këngët e Shekullit Kallkan”, e cila së fundmi është përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Përmes projektorit u prezantua një përmbledhje e veprës, e përgatitur nga Arben Veselaj, ndërsa u transmetuan edhe recitime artistike të poezive nga Arbana Qeriqi, kryeredaktore e Radios Kosova e Lirë.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte leximi nga Ylber Gega i një fragmenti nga romani “Saga e Malmirit” i profesor Ahmet Qeriqi.

Programi artistik u pasurua me interpretimet e rapsodëve Osman Loku, Arbër Froku dhe Llesh Grabanica, të cilët interpretuan këngë kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të kombit shqiptar. Interpretimet e tyre u pritën me emocione dhe duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Në diskutimin e hapur që pasoi, mendimet dhe vlerësimet e tyre i ndanë prof. Musa Ahmeti, dr. Bekim Balidemaj, mësuesi Beqir Cikaqi, Sofie Sopa dhe Zarife Gega. Ata vlerësuan rëndësinë e organizimeve të tilla për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës kombëtare, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Në frymën e mikpritjes tradicionale shqiptare, disa familje pjesëmarrëse kishin përgatitur gatime tradicionale dhe pije shqiptare, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë edhe më të ngrohtë, miqësore dhe bashkëpunuese.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për Institutin e Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, duke e cilësuar këtë organizim si një shembull të përkushtimit në promovimin e kulturës, letërsisë dhe kujtesës historike shqiptare. Njëherazi, ata shprehën dëshirën që aktivitete të tilla me vlera kombëtare, kulturore dhe artistike të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në shërbim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe forcimit të lidhjeve të komunitetit shqiptar në mërgatë.

Kontrolloni gjithashtu

Ibrahim SHALA: Recension për librin “"𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐁𝐈𝐒𝐄𝐃𝐈𝐌 𝐌𝐄 𝐅𝐀𝐃𝐈𝐋 𝐕𝐀𝐓Ë𝐍" të autorit Hajdin ABAZI

Ibrahim SHALA: Recension për librin “”𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐁𝐈𝐒𝐄𝐃𝐈𝐌 𝐌𝐄 𝐅𝐀𝐃𝐈𝐋 𝐕𝐀𝐓Ë𝐍” të autorit Hajdin ABAZI

LIBËR QË THYEN PARAGJYKIMET PËR IDEOLOGJINË DOGMATIKE TË LPRK  Si lindi ky libër?       Një …