Komuna e Malishevës vazhdon dëgjimet publike për hartimin e projektbuxhetit 2027-2029

Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka vazhduar me mbajtjen e dëgjimeve publike në kuadër të procesit të hartimit të projektbuxhetit Komunal 2027–2029. Këto dëgjime po organizohen në zbatim të obligimeve ligjore dhe Vendimit të Kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në përcaktimin e prioriteteve buxhetore.

Mbrëmjen e kaluar u mbajt takimi me banorët e fshatrave Tërpezë, Lladrovc dhe Berishë, ku u prezantua Korniza Buxhetore 2027–2029, me fokus të veçantë në planifikimet për vitin 2027.

Prezantimin e projektbuxhetit e bënë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, dhe Zyrtarja Kryesore Financiare, Valentina Krasniqi, të cilët informuan qytetarët për strukturën e buxhetit, investimet e planifikuara dhe prioritetet zhvillimore të komunës.

Gjatë diskutimit, qytetarët paraqitën propozimet dhe kërkesat e tyre për orientimin e buxhetit, me theks të veçantë në investimet kapitale që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin lokal dhe rritjen e mirëqenies së banorëve.

Komuna e Malishevës do të vazhdojë me organizimin e dëgjimeve publike edhe në ditët në vijim, sipas kalendarit të paraparë, duke u ofruar qytetarëve mundësinë që të kontribuojnë me idetë dhe propozimet e tyre në hartimin e projektbuxhetit Komunal 2027-2029.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt Dëgjimi Publik Buxhetor me banorët e Fortesës, Sapniqit dhe Pataqanit të Poshtëm

Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, në bashkëpunim me Grupin Punues për …