Organizata “Shqiptarët për Amerikën” ka bërë thirrje për fillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke vlerësuar se tashmë nuk ekzistojnë pengesa për riaktivizimin e këtij procesi. Në një opinion të publikuar, organizata thekson se Dialogu Strategjik nuk duhet parë si një favor diplomatik për Kosovën, por si njohje e partneritetit të ndërtuar ndër vite mes dy vendeve. “Koha për ta filluar Dialogun Strategjik Kosovë–SHBA është tani. Ky nuk është një favor ndaj Kosovës dhe as një koncesion diplomatik. Është njohje e një aleance që është provuar në luftë, është forcuar në paqe dhe është mbështetur vazhdimisht nga qytetarët e Kosovës”, thuhet në opinion. Albanians for America rikujton se në janar të vitit 2024, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, kishte paralajmëruar se Dialogu Strategjik do të finalizohej së shpejti. Megjithatë, në shtator të vitit 2025, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi pezullimin e procesit, duke e arsyetuar vendimin me zhvillimet në veri të Kosovës. Sipas organizatës, situata në veri është stabilizuar dhe nuk ka më arsye që të pengojnë fillimin e dialogut. Në opinion theksohet se ky mekanizëm do ta institucionalizonte bashkëpunimin mes Kosovës dhe SHBA-së në fusha si mbrojtja, siguria, ekonomia, energjia, teknologjia dhe politika e jashtme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
