Etnomuzikologu dhe studiuesi i folklorit Tepelenasi, Spiro Shituni në librin e tij “Polifonia labe” ndër të tjera thotë: “Arti, kultura, folklori dhe në veçanti kënga labe polifonike, kanë qenë dhe janë për njerëzit si një gjymtyrë, prandaj s’ ka si të mos kuptohet sa të rëndësishme janë gjymtyrët për njeriun…”
Prandaj, unë do përulem ndërsa nga ju dua një duartrokitje të fortë për këtë spektakël folklorik që ndoqëm për dy net të shkëlqyera.
Duartrokitjet thuaja shkojnë për organizatorët e festivalit “Jehona e Vjosës”, për drejtuesin artistik, të këtij festivali që do te kishin zili edhe shumë të tjerë. z. Viktor Aliu dhe znj. Enkeleida Fejzo që me dijet dhe aftësitë, mënyrën e organizimit, vlerat intelektuale, përkushtimin dhe përpjekjet, dëshirën dhe dashurinë, njohjen dhe këmbënguljen për artin dhe folklorin, marrin përsipër të tilla evenimente kulturore të nivelit kaq të lartë.
Ata kanë bërë që festivali “Jehona e Vjosës” të kthehet në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të jugut të Shqipërisë. Të themi me plot gojën labçe: “Hallall u qoftë!”
Duartrokitja tuaja shkojnë për Bashkinë e Memaliaj dhe stafin e saj, konkretisht për kryetarin Albert Malaj dhe gjithë Këshillin Bashkiak, jo vetëm si mbështetësi financiar, por edhe për atë që të gjithë së bashku dhanë ndihmesën dhe u kujdesën mirëvajtjen e këtij festivali të bukur mbarëkombëtar, në këtë shesh që do të kishin zili edhe plot qytete të tjera.
Këtë vit, festivalin “Jehona e Vjosës,” e nderon grupi “Malli i Mërgimtarit” që jeton në Patra, të Greqisë, ansambli “Trojet tona” nga Ulqini, natyrshëm edhe ansambli “Shote Galica” nga Drenasi i Kosovës. Gjithashtu na nderoi edhe magjia e grupeve të zgjedhura: si ansambli “Dardania” i Tropojës, zërat e përjetshëm të “Bejkës së bardhë”, “Kaonët” e Delvinës, “Grupi i djemve të Bogonicës”, sazet e Kolonjës dhe ato të Përmetit, grupet e Librazhdit dhe e Gramshit si dhe grupi i suksesshëm nga treva e Dukagjinit: “Tre tinguj, një melodi”.
Pjesë e kësaj feste ishte, ansambli artistik “Kaltërsia”, grupet polifonike, “Thesaret labe” dhe grupet labe: të Romës, “Djemt e Vlorës” dhe “Gjergj Araniti”, grupi i Kolonjës, grupi nga Memaliaj dhe “Epirotët” e Tepelenës. Gjithashtu kishte edhe grupe e përshëndetëse disa artistë dhe grupe të tjera…
Duartrokitja tuaja shkojnë për 24 grupet dhe shoqëritë kulturore, të cilat për dy net, shpalosën në këtë skenë, këngët dhe vallet tona plot ritëm energji, disiplinë dhe profesionalizëm. Kështu natyrshëm pati këngë dhe valle burimore, thellësisht folklorike, të mbështetura në traditën, tabanin dhe trashëgiminë popullore.
Kjo ngjarje, kjo shfaqje, me pjesëmarrje mbarëkombëtare, me grupe e valle, me formacione muzikore të nivelit cilësor, me zëra dhe vokale, melodi dhe ritme të traditës sonë shqiptare, na dhanë një kënaqësi e veçantë, pasi që këtu në skenë u bë një përurim dhe një paraqitje profesionale.
Megjithëkëtë, në skenë pati edhe grupe që iu mungonte disiplina, rreshtimi, mënyra e futjes në skenë, pati disa veshje të ndryshme, disa të njëjta, si stile kostumesh. Gjithashtu pati edhe asamble që e tejkaluan dyfish e minutave të caktuar, prandaj edhe u hoqën, u përjashtuan nga konkurrimi.
Në këtë skenë u ngjitën këngëtarë që kanë përvojë, prej shumë vitesh të vjetër, por edhe të rinj, zëra dhe melodi, kënge të dëgjuara dhe këngë të reja.
Pati gjithashtu edhe këngëtarë me repertor të shumtë këngësh që këndojnë me zotësi duke e pasur vendosmëri në skenë, duke ruajtur notën dhe duke menaxhuar emocionet, por dhe këngëtarë të rinj plot energji me zëra që çajnë qiellin, më pak përvojë skenike, por me siguri, me dëshirë dhe dashuri për të vazhduar në rrugën e artit popullor. Pati këngë që u intonuan në lartësinë e këngës së më hershme dhe produkti qe jo i mirë, dukë e çarë ison dhe duke pasur mospërputhje, mosharmoni me marrësit.
Këtu u kënduan, këngë polifonike, duke pasur marrës të zotë dhe me zë të fortë burrërorë, por dhe marrës zotërues të melodisë, të qetë dhe të mirëfilltë.
Po kështu pati kthyes me grykë mjaltë, si violinë dirigjuese, që e drejtonin mirë elementët e këngës që e marrin në dorë këngën, por dhe kthyes jo dhe aq të zotë, kthyes që nuk i përshtaten stilit të këngës, qe nuk u ngjizën më marrësin dhe hedhësin e duke e zvarritur këngën…
Kështu, pati edhe hedhes me zë hyjnor, të intonuar shumë mirë, me timbër e tone ritmike të larta, por dhe hedhje të regjistrit të poshtëm, melodikë, te shtruar nga ata të tabanit. Pati që e ruajtën cilësinë deri në fund, por pati edhe të tillë që me ngritjen e këngës nuk qenë në lartësinë tonike.
Pati iso të forta, harmonikë siç thotë populli: “Zile Janine” Pati të atillë jo ashtu siç do të duhej, iso dhe këngë që e shpërfillën tonin e duhur apo nuk u sinkronizuan elementët, të cilët sigurisht e kanë kuptuar edhe vetë se duhet të korrigjohen.
Pati, gjithashtu, valle të niveli të lartë artistik që natyrshëm kanë një art më vete, plot ritëm siguri, disiplinë, harmoni në lëvizje në sinkron dhe më e rëndësishmja valle të karakterit shqiptar.
Kulmi i harmonisë ishin tre tingujt.
Ata për veç sinkronit jetik trinjakë vëllazëror, vijnë vërtet me melodi dhe këngë unike trinjake. Të gjitha grupet apo vallet rendin drejt harmonisë vëllazërore dhe bëhen për më shumë si vëllezër trinjakë, ndaj u themi “Ju lumtë!”
Prandaj një paraqitje e tillë e nivelit të lartë muzikor e artistik ia vlen të bëhet e përvitshme, me e madhe, për më shumë se dy ditë.
Në këtë shesh të këtij qyteti që ka nxjerrë me dhjetëra artistë, këngëtarë e humoristë, aktorë dhe sportistë që mbajnë dhe luajnë role të rëndësishme në artin dhe kulturën popullore janë padyshim krenaria e këtij qyteti.
Në këtë shesh u fol shqip që nga Delvina në Drenas, nga Vlora në Ulqin, së bashku të 24 grupet dhe ansamblet folklorike konkurruese dhe disa si përshëndetëse.
Në këtë shesh u shpalos epika e këngës labe deri tek ritmi i valleve të Kosovës. Këtu u dëgjua isoja si jehonë e kanioneve (gryka, humnera shkëmbore të lumit a lumenjve) të Kurveleshit deri tek lahuta e çiftelia, si gjëmime malesh të Sharrit dhe të Karadakut . Këtu u përqafuan plisi me qylafin, fustanella me xhubletën, këtu u fol për dy net Ilirisht që nga Bistrica dhe Vjosa, nga Semani e Shkumbini, tek Drini e Valbona dhe te të gjitha trevat shqiptare, prandaj për këtë meritë të bashkimit të trojeve tona e ka arritur vetëm arti popullor.
Duartrokitja tuaja shkojnë për këtë skenë të ndërtuar bukur, plot hijeshi, në mes të qytetit, në krah të monumentit të minatorit, krenarisë, së nëntokës dhe mbi tokës memaliote. Vlen për ta theksuar se skena, skenografia dhe ndriçimi profesional i mjaftueshëm e me një foni të dëgjueshme mirë, janë po ashtu për lëvdatë.
Po theksoj edhe një detaj se me dy moderatorë të zgjedhur, znj Migena Kraha dhe z.Ermir Hoxha me zërin e tyre të fortë, te rrjedhshëm, plot harmoni kumbuese dhe me ligjëratë artistike, pata kënaqësi që bashkëveprova.
Me mikrofonat cilësorë, ku kënga sidomos ajo polifonike që kërkon një amplifikim ndryshe, ishte e përshtatur dhe me parametrat që kënga të dëgjohet mirë, pra kjo qe harmonike dhe plot gjallëri.
Në këtë moment vlen të përmendet një defekt i grupeve duke mos u përshtatur me mikrofonat, duke ndenjur larg, indiferent ose ato të mangësi kur këngëtarët e kthejnë kokën herë andej e herë këtej. Mënyra se si rri dhe trajton largësinë apo afërsinë nga mikrofoni është suksese ose jo i këngës, sidomos i këngës polifonike.
Duartrokitjet tuaja shkojnë për kostumet, shumëngjyrshme të shumëllojshme, të mbështetura në traditën tonë popullore, të çdo krahine e çdo zone. Ato kanë ruajtur formën, ngjyrat, stilin e qepjes, ornamentet dhe dekoret e gjenezës popullore të çdo krahine. Jo të gjitha grupet janë të pajisur me kostume, pati mangësi në elementët dhe dukshmërinë e tyre, por ky është një problem që po na përcjell prej disa dekadave, sepse grupet nuk kanë mbështetje financiare.
Fjalë të mira meritojnë zejtarët e kostum-grafisë që nuk mungojnë. Ata qepin e qëndisin shumë mirë kostumet e zonave duke ruajtur traditën e zanafillën. Asnjë kostum nuk i ngjan tjetrit dhe kjo tregon dhe origjinalitetin dhe larminë e veshjeve tona popullore.
Duartrokitjet shkojnë për arsenalin poetik të poetëve dhe rapsodëve, tekstet dhe vargjet që kanë këngët, por edhe vallet dhe rapsoditë, të cilat janë nga më të larmishmet.
Aty kishte këngë me tekste lirike, kënge me tekste epike, këngë trimërie, kënge satirike dhe humoristike si dhe këngë me tekst dedikimi. Nuk pati shumë këngë me tekste të reja, por këngë të ri- sjella e të kënduara në vite. Nuk kishte as tekste të reja me melodi të vjetra dhe as melodi të reja me tekste të reja.
Megjithatë të gjitha janë të vlerësuara, duke ngjallur emocione, gjë që tregojnë ngjarje apo dukuri shoqërore.
Duartrokitjet tuaja shkojnë edhe për jurinë profesionale të përbërë nga Xheladin Beqiri, “Mjeshtër i Madh” poet, këngëtar, mësues dhe njohës i folklorit; për Feti Zenelin, intelektual i shquar i zonës, poet, gazetar dhe publicist, njëkohësisht autor i disa veprave letrare, po ashtu edhe për Bekim Vishajn historian, akademik, drejtor i muzeut të Deçanit, si dhe njohës i mirë i folklori.
Së fundmi vlen t’i shfaqim edhe dy këshilla, dy propozime.
E them që në fillim juria apo juritë nuk kanë këllqe të vlerësojnë floririn, sepse nuk vlerësohet floriri, siç është arti jon popullor, por ai vetëm krahasohet, nga flori 24 karat, në flori 18 karat apo 14 karat…
Juria krahasoi sot në këtë skenë, në këtë paraqitje grupe folklorike dhe valle të mira, por edhe grupe apo valle jo aq të mira, pra duke i veçuar ato më të mirat.
Por edhe në festivalet lokale apo ndodhitë e tjera artistike duhet të bëhen të tilla realitete, në qytete që mungon jeta dhe lëvizjet, të cilat gjallërojnë sadopak zhvillimet e përgjithshme, megjithëkëtë nuk duhet të bëhen veprimtari të tilla në njëjtën datë, sepse bie shikueshmëria.
Po kështu mund të thuhet se të tilla festivale janë e vetmja skenë ku këngët, vallet dhe solistët ballafaqohen me emocionin, por edhe me vetëdijen se duhet të përmirësohen nivelet muzikore e artistike.
Shumë faleminderit organizatorëve dhe aktivistëve në Memaliaj! Këtu shtohen edhe vlerat me Vjosën dhe malin, me nëntokën dhe mbi tokën, me njerëzit dhe artistet, me kulturën dhe mikpritjen! Mirë u pjekshim vitin e ardhshëm!
Xheladin Beqiri
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
