Intervistë me Alberije Smajl Elezajn, motrën e dëshmorit Avni Elezaj
RKL: E dashur Alberije, fillimisht, na flisni shkurt për familjen Elezaj. Çfarë vlerash u kultivuan në familjen tuaj dhe në çfarë fryme u rrit Avniu?
Alberije Smajl Elezaj: Avni Smajl Elezaj ka lindur më 2 gusht të vitit 1981, në fshatin Jabllanicë e Vogël, në një familje të dalluar për tradita atdhetare, të përcjella në disa breza. I rritur nga një baba që ishte aktiv në të gjitha lëvizjet e mëdha dhe vendimtare për popullin tonë. Baba Smajl ishte aktiv në të gjitha demonstratat dhe protestat, ku edhe u rrah e u burgos. Megjithatë, e vazhdoi veprimtarinë atdhetare deri në vitin 1998, ku edhe iu bashkëngjit Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”, deri në themelimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, ku edhe mori pjesë në shumë beteja. Nëna e Avniut, Halimja, një grua e fortë që me duart e saj ushqeu shumë djem të UÇK-së, të cilët i deshi si djemtë e vet. Avniu u rrit nga dy prindër, të cilët u munduan të kultivojnë vlerat më të larta njerëzore e sidomos atdhedashurinë.
RKL: Si e kujtoni Avniun si vëlla? Cilat ishin tiparet që e dallonin nga bashkëmoshatarët e tij dhe çfarë ju kanë treguar prindërit për karakterin e tij?
Alberije Smajl Elezaj: Avniu edhe si fëmijë është dalluar nga bashkëmoshatarët e vet, ka qenë fëmijë me zemër të madhe dhe shpirt luftarak, me një guxim të rrallë, s’u tremb asnjëherë nga sfidat dhe pengesat. E them me sinqeritetin më të madh se ai gjithmonë ka pasur diçka që e ka bërë të veçantë edhe si fëmijë. Si vëlla ai ka qenë gjithmonë mbrojtësi im, edhe pse unë kam qenë dy vite më e madhe se ai.
RKL: Avniu ishte ende shumë i ri kur iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. A e kishte familja dijeninë për angazhimin e tij në luftë dhe si e përjetuat atë vendim?
Alberije Smajl Elezaj: Edhe pse Avniu nuk na ka tregu se do t’i bashkohej UÇK-së, ne si familje, duke e njohur karakterin e tij, e dinim se Avniu do bënte çmos që të ishte pjesë e UÇK-së, edhe nëse ne do ta kundërshtonim. Avniu ishte shumë i ri në moshë, ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme, ku la mënjanë librat dhe iu bashkua radhëve të UÇK-së. Ishte njëri ndër luftëtarët më të rinj nga mosha, por edhe njëri nga luftëtarët më të guximshëm. Fillimisht, Avniu në verën e vitit 1998 u angazhua në radhët e UÇK-së në Jabllanicë të Dushkajës. Stërvitjet i kreu në Zhabel, ku nga dita e parë deri në çastet e fundit u dëshmua si luftëtar i denjë dhe shembullor. Avniu po ashtu, në janar të vitit 1999, niset drejt Shqipërisë për të sjellë armë e municion, që ishin aq të domosdoshme për të përballuar sulmet shfarosëse të forcave pushtuese serbe. Në këtë rrugëtim bien në pritën e trefishtë në Bishtazhin, Goden, Rugovë të Hasit. Aty bien për të mos vdekur kurrë 21 ushtarë të UÇK-së. Kësaj prite Avniu arrin t’i mbijetojë në saje të përgatitjes së lartë luftarake. Avniu, qysh me themelimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, u sistemua në njësitin special të kësaj Brigade. Pjesëmarrja e tij në aksione të vazhdueshme në përballje me forcat serbe, ku bashkë me shokët kthehej gjithmonë fitimtar, bëri që të jetë luftëtari tipik i UÇK-së, për çka gëzoi respekt nga bashkëluftëtarët. Avniu dallohet po ashtu në aksionin e fillim prillit të vitit 1999, për transferimin e 40-të të plagosurve në drejtim të Shqipërisë. Aksionet e Avniut ishin të shumta, duhen veçuar aksioni në Novosellë dhe Jabllanicë të Vogël, fshatin e tij të lindjes, ku luftoi me forcat serbe në një afërsi prej disa metrash, duke i shkaktuar humbje të mëdha armikut, pastaj aksioni në Banjë të Pejës, e shumë e shumë aksione të tjera.
RKL: Çfarë e shtyu një djalosh të ri si Avniu të merrte armët dhe të rreshtohej në mbrojtje të popullit dhe të atdheut?
Alberije Smajl Elezaj: Duke u rritur në një familje të shquar për tradita atdhetare, në një familje që ishte cak i sulmeve dhe torturave nga policia serbe e asaj kohe, sigurisht që kanë ndikuar edhe në formimin e karakterit të Avniut, djalit trim të Dukagjinit.
RKL: Në kujtesën e qytetarëve të Pejës, eliminimi i kriminelit serb Vidomir Shalipuri konsiderohet një nga aktet më të guximshme të rezistencës. Si e morët vesh këtë ngjarje dhe çfarë domethënie pati ajo për familjen tuaj?
Alberije Smajl Elezaj: Ajo që Avniun e bëri hero të gjallë ishte aksioni i 8 prillit, i kryer në fshatin Novosellë, ku bashkë me shokët e tij ndërmorën këtë aksion të rrezikshëm. Avniu del në rrugë, ngrihet në këmbë dhe me murtajë dore e qëllon kolonën e forcave serbe, ku ishte kryekrimineli Shalipuri dhe banda e tij famëkeqe, të njohur për krimet dhe masakrat e tmerrshme të bëra mbi popullatën civile shqiptare të Pejës me rrethinë, para dhe gjatë luftës. Lajmi për vrasjen e Shalipurit u përhap shpejt.
RKL: Si u prit ky aksion nga popullata e Pejës dhe nga bashkëluftëtarët e Avniut? Çfarë ju kanë rrëfyer ata për jehonën që pati kjo ngjarje?
Alberije Smajl Elezaj: Për ne si familje, por edhe për popullatën e asaj ane, ka qenë një gëzim i madh, gati i pabesueshëm. Atë ditë Avniu me shokë kanë shpëtuar qindra civilë të strehuar në fshatrat tona. Kriminelët atë ditë kishin në plan të vrisnin dhe masakronin. Civilëve iu dha një afat kohor që të mund të largoheshin nga fshati, duke e ditur se nuk do të zgjaste shumë kur do të sulmoheshin përsëri nga bandat serbe.
RKL: Pas këtij aksioni, çfarë ndryshoi për familjen tuaj? Çfarë presioni, rreziku apo sakrifice u detyruat të përballonit?
Alberije Smajl Elezaj: Lufta përfundoi, Avniu i shpëtoi luftës, veshi uniformën e TMK-së e pastaj një kohë punoi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në vitin 2001, derisa Avniu po kthehej në shtëpi, ende pa hyrë në fshatin tonë sulmohet me armë zjarri nga persona të panjohur, mirëpo falë shkathtësive të tij i shpëton këtij sulmi. Këtu filloi edhe brenga e familjes, dikush nuk po e donte Avniun të gjallë, si duket dikujt po i mungonte Shalipuri. Ishte viti 2002. Ishim në shtëpi të gjithë. Avniu e filloi bisedën: “Unë kam vendosë me iu kthyer shkollës, e kreva obligimin tim”, tha. “Lufta përfundoi, tash po i kthehem shkollës.” Sigurisht që për ne, familjen e tij, ishte gëzim i madh. Avniu do studionte Historinë, do shkruante historinë e Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe vetë. Më 1 tetor i filloi ligjëratat në Fakultetin e Filozofisë – Dega Histori. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë. Ndodhi ajo që nuk pritej. Më 12 tetor të vitit 2002, në qytetin e Pejës, Avniut i ngrihet një pritë, ku edhe humb jetën, në Pejën e tij për të cilën kishte luftuar aq shumë dhe e kishte dashur aq shumë. Atë ditë ne e humbëm djalin, vëllain tonë, por edhe Kosova e humbi birin e saj besnik, atë që i doli zot në kohën më të vështirë.
RKL: Vrasja e Avniut dhe më pas edhe e babait tuaj është një plagë e madhe për familjen. Nëse mundeni, na rrëfeni si ndodhën ato ngjarje dhe si i përjetuat ato ditë tragjike.
Alberije Smajl Elezaj: Gjithmonë krenare për jetën dhe veprën e Avniut, do të mbahet mend si djali që s’iu tremb qerpiku nga armiku, djali që edhe sulmet ndaj armikut nuk i bëri prapa shpine, por gjithmonë përballë, djali që e deshi lirinë e Kosovës më shumë se jetën e vet. Ky është Avniu, luani i Dukagjinit.
Nuk kaloi shumë kohë pas rastit të Avniut. Pas 17 muajsh, më datën 17 mars 2004, në qytetin e Pejës, vritet edhe baba ynë, Smajli. Tashmë për ne, familjen tonë, familjen e Avni Elezaj, Kosova u bë vend i pasigurt për të jetuar. Për shkak të pasigurisë, familja ime vendosi të largohet nga Kosova, pikërisht në kohën kur Kosova u çlirua dhe për çlirimin e saj kishim kontribuar shumë. Absurdi i shekullit ndodhi. Familja e Avniut detyrohet të largohet prej vendit të cilin e kanë dashur dhe këtë e kanë argumentuar me vepra dhe sakrificë të madhe. Nuk arriti ta shijojë lirinë Avniu, babai e as familja. Ka qenë tepër i rëndë për familjen time vendimi për t’u larguar nga Kosova. Me ndihmën e familjarëve tanë, familja ime largohet nga Kosova, duke kërkuar strehim në vendet e Perëndimit. Fillimi i një jete në një vend të huaj ka qenë sfidë e madhe për vëllezërit e mi. Janë përballur me vështirësi nga më të ndryshmet, por kurrë s’u dorëzuan. Këtu dua të falënderoj nënën tonë, nanën Halime, që ka qenë shtylla e cila nuk u lëkund asnjëherë, e mbajti familjen në këmbë e gjithmonë duke na motivuar për të vazhduar jetën, pavarësisht vështirësive.
RKL: Si e vlerësoni trajtimin institucional ndaj familjeve të dëshmorëve, heronjve, martirëve dhe kategorive të dala nga lufta? A mendoni se sakrifica e tyre është vlerësuar siç duhet?
Alberije Smajl Elezaj: Sa i përket pyetjes se a ka bërë shteti mjaftueshëm për Avniun dhe Smajlin, përgjigjem me një JO të madhe. Vetë fakti që kanë kaluar gati 24 vite nga vrasja e Avniut dhe gati 22 vite nga vrasja e babës, dhe nuk është gjetur kush i ka bërë këto vrasje, nuk është burgosur askush, është treguesi më i mirë.
RKL: Çfarë ka bërë shteti, Komuna e Pejës dhe institucionet për ta përjetësuar veprën dhe heroizmin e Avni Elezajt?
Alberije Smajl Elezaj: Edhe Komuna e Pejës, përveç një rruge në fshatin tonë që mban emrin e Avniut, nuk ka bërë asgjë tjetër, e them me përgjegjësinë më të madhe. Emri i Avniut do të duhej të përjetësohej me shkronja të arta, do të duhej të ngrihej një përmendore madhështore në qytetin e Pejës, si shenjë e vogël falënderimi për veprën e tij të madhe. Do të duhej që emri i tij të mbahet i gjallë nga historianët, të cilët do të duhej të shkruanin për të gjithë të rënët për liri. Ata dhanë jetën që ne sot ta gëzojmë lirinë.
RKL: Në fund, cili është mesazhi juaj për brezat e rinj që nuk e kanë përjetuar luftën, por gëzojnë lirinë për të cilën Avniu dhe mijëra të rinj të tjerë dhanë jetën?
Alberije Smajl Elezaj: Mos i harroni kurrë ata që e dhanë jetën për liri, mos shkelni mbi gjakun e dëshmorëve, mos e harroni historinë e popullit shqiptar, historia që harrohet mund të përsëritet.
RKL: E nderuar, ju falënderojmë sinqerisht që pranuat të bëheni pjesë e kësaj interviste dhe të ndani me lexuesit kujtimet, dëshmitë dhe emocionet tuaja për heroin Avni Elezaj, dhe babin Tuaj Smajlin. Rrëfimi juaj është një kontribut i çmuar për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për përcjelljen e vlerave të sakrificës e të lirisë te brezat që vijnë.
Alberije Smajl Elezaj: Arbana, të faleminderit shumë! Ka qenë tepër emocionuese për mua të shkruaj për babën dhe Avniun. E di që i kam mbetur shumë borxh të dyve, sepse ka pasur shumë gjëra që do duhej të thuheshin për ta…
Punë të mbarë dhe vazhdo ta mbash gjallë, përmes emisionit tënd, kujtimin për dëshmorët.
Intervisten e realizoi Arbana Qeriqi- Gashi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
