Mbrojtja e Thaçit kërkon lirimin: Vendimi të bazohet në prova, jo në spekulime

Avokatja e Hashim Thaçit, Sophie Menegon, ka kërkuar nga trupi gjykues që vendimi ndaj klientit të saj të mbështetet vetëm në prova dhe jo në pretendimet apo spekulimet e Prokurorisë, duke kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat. Gjatë deklaratës përfundimtare, Menegon ka kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Thaçit me gjashtë vjet burgim, duke argumentuar se bisedat e zhvilluara në qendrën e paraburgimit nuk kanë pasur ndikim në botën reale. “Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime edhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, ka thënë ajo. Menegon ka theksuar se dëshmitarët e përmendur në aktakuzë, përfshirë Mustafa, Bislim Zyrapi dhe dëshmitarin 4, gjatë marrjes në pyetje nga ZPS-ja kanë deklaruar se nuk janë ndikuar nga askush, ndërsa sipas saj, një pjesë e informacionit që pretendohet se është përmendur nga Thaçi gjatë vizitave ishte tashmë publike ose e njohur nga vizitorët e tij. “Në praktikë nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje”, ka deklaruar avokatja. Ajo ka kundërshtuar edhe mënyrën e sigurimit dhe përdorimit të provave nga Prokuroria, duke përmendur incizimet e bisedave të Thaçit, përfshirë bisedat telefonike dhe ato të privilegjuara me bashkëshorten dhe djalin e tij. Sipas Menegon, akuzat për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave përmes veprimeve të përbashkëta në grup nuk qëndrojnë, ndërsa provat e paraqitura nga Prokuroria, sipas mbrojtjes, janë të dobëta si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë faktik.

Kontrolloni gjithashtu

Oda e Mjekëve vendos flamurin e UÇK-së në prag të aktgjykimit në Hagë

Gjashtë ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe …