Isuf Ismaili: Arbëreshi që ndihet krenar sapo fillon të flasë arbërisht (Intervistë me Gabriele “Gavril” Parrino, arbëresh nga Sicilia)

KULTIVIMI I RRËNJËVE MES SFIDAVE TË SOTME

Në këtë intervistë kemi kënaqësinë të prezantojmë Gabriele Rosario Parrino-n (në gjuhën amtare njihet si Gavril), i cili është mësues i historisë së artit, udhërrëfyes turistik dhe studiues i zjarrtë i albanologjisë. Ai është rritur në Palermë, brenda një familje me rrënjë të thella arbëreshe dhe ka arritur ta përvetësojë me mjeshtëri shqipen letrare, duke qenë edhe pjesëmarrës në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë. Përmes figurës së tij, përfytyrojmë nga afër jetën e komunitetit arbëresh në Secili, vëllezërit tanë të gjakut dhe të gjuhës, të cilët prej më shumë se 500 vitesh ruajnë të gjallë shpirtin e Arbërisë dhe trashëgiminë e Motit të Madh.

Gabriele, faleminderit që pranuat t’i paraqisni mendimet dhe përvojën tuaj në këtë intervistë!

Ku keni lindur, ku jeni rritur dhe ku jeni shkolluar?

Mirë se ju gjeta, Zoti Isufi! Siç më prezantove me mirësjellje, jam arbëresh nga Palermo – një qytet i bukur dhe historik italian i Mesdheut – ku mijëra arbëreshë jetojnë prej shekujsh. Pikërisht këtu kam lindur, jam rritur dhe kam kryer një pjesë të mirë të shkollimit. Aktualisht jetoj dhe punoj në Firence të Toskanës.

 Cila është familja juaj?

Prindërit e mi janë që të dy me origjinë nga Hora e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), vendi ynë i shpirtit. Edhe pse familja ime u vendos në Palermë që në kohën e gjyshërve, ruajmë gjithmonë një lidhje të qëndrueshme dhe të thellë me qytezën tonë. Të dy prindërit mbajnë mbiemra tipikë shqiptarë, të dokumentuar që në kohën e ardhjes së arbëreshëve të parë. Mbiemri im atëror, Parrino (përkthimi sicilian i mbiemrit ‘Prifti’), shfaqet që në dokumentet e themelimit të Pianës; mbiemri i nënës është Borgia (italianizim i trajtës ‘Borshia’, siç vërtetohet nga At Zef Valentini). Nga ana e nënës, një mbiemër tjetër i shquar është ai i gjyshes sime: Musacchia (‘Muzaka’, i lidhur me një familje fisnike të mesjetës dhe me bashkëshorten e Skënderbeut). Disa anëtarë të familjes sime kanë kontribuar me përkushtim në çështjen shqiptare mes shekujve XIX dhe XX, si priftërinjtë Papa “Zefi” Giuseppe Musacchia, Papa “Kola” Nicola Scalora, apo Atë Nilo Borgia, hieromonak baziljan në Grottaferrata pranë Romës. Emra të tjerë të njohur me mbiemrin Parrino – si albanologu Ignazio Parrino apo Papa Pal Maria Parrino – vinin nga vendbanime të tjera arbëreshe të Sicilisë, çka tregon sa i përhapur është ky mbiemër mes nesh.

A flisni arbërisht në shtëpi?  

Gjithmonë! Mes nesh flasim vetëm arbërisht. Në shtëpi, jashtë saj apo në telefon, gjuha jonë e vetme është arbërishtja, shqipja jonë. Sigurisht, mund të flasim, në mënyrë të natyrshme, vetëm litisht (italisht) në situata ku janë të pranishëm njerëz që nuk e kuptojnë gjuhën tonë. Ajo që mund të na dallojë nga sicilianët e tjerë është theksi ynë tipik arbëresh, ndonëse në familjen time ai nuk është aq i theksuar.

 Po me shoqërinë, me shokët e shoqet arbëreshe, a flisni arbërisht?

  Arbërishtja është një gluhë (gjuhë) shumë e gjallë që flitet vazhdimisht. Te të rinjtë ekziston gjithashtu dëshira për ta shkruar atë në rrjetet sociale dhe mesazhe, prandaj edhe se për shumicën mbetet në thelb një gjuhë gojore. Kështu, me miqtë e mi nga Hora, është krejt normale të flasim vetëm arbërisht. Mbaj mend se një herë, ndërsa flisja me një mik nga Palermo — po ashtu arbëresh nga i njëjti vend — u habita duke e dëgjuar kur fliste italisht. Me të kisha folur gjithmonë vetëm arbërisht dhe kuptova se nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë duke u shprehur italisht!

 A mësohet arbërishtja në shkollat e vendbanimeve arbëreshe në Sicili?

Rajoni i Sicilisë dhe shteti italian e mbrojnë gjuhën arbërishte, ndaj një pjesë e orëve mësimore në shkollat fillore dhe të mesme i kushtohet mësimit të saj. Megjithatë, me sa di unë, këto orë janë tepër të pakta dhe besoj se mësimi mbahet vetëm një ose dy orë në javë. Duke pasur parasysh se kam ndjekur shkollat në Palermë, fatkeqësisht nuk kam përvojë të drejtpërdrejtë me këtë aspekt. Sidoqoftë, Universiteti i Palermës, biblioteka në Horë dhe bashkitë arbëreshe kanë qenë mjaft aktive për mbrojtjen e gjuhës kohët e fundit. Po ashtu, Kisha Italo-Shqiptare ka luajtur gjithmonë një rol themeltar dhe mbetet institucioni më i rëndësishëm në ruajtjen e gjuhës së të parëve tanë.

Si ka qenë fëmijëria juaj? A mund të na përshkruani ambientin familjar dhe shoqëror në lidhje me rrethin arbëresh?

Falë Zotit, kam pasur një fëmijëri të lumtur në një mjedis të shëndetshëm familjar. Duke u rritur në Palermo — jashtë komunitetit arbërisht-folës — para adoleshencës fillova ta pyesja veten pse flitej arbërisht brenda familjes sime. Prindërit e mi, të lidhur fort me origjinën e tyre, blenë një apartament në Horë, kur isha i vogël. Kështu, çdo fundjavë dhe gjatë verës kisha mundësinë të takoja shumë bashkëmoshatarë për të luajtur e për të folur arbërisht. Aty krijova një grup të shkëlqyer miqsh. Ndër ta, do të përmendja edhe dy miq nga zona e Tiranës, të cilët ishin rritur aty që fëmijë. Edhe pse sot e kësaj dite nuk shihemi shpesh, sa herë takohemi është sikur të mos ishim ndarë kurrë. Besoj se familja është themeli i të gjithave: gjuha duhet të përjetohet në bërthamën e saj, por fëmija ka nevojë ta përdorë atë edhe me bashkëmoshatarët.

Kur u zgjua interesi juaj për gjuhën dhe kulturën arbëreshe dhe si i keni manifestuar ato ndjenja?

Kuptova shpejt se kjo kulturë e lashtë ishte një pasuri e madhe që më dallonte nga sicilianët e tjerë, ata që ne i quajmë ‘litinj’ (latinët). Shkoja rregullisht në famullinë arbëreshe me ritin lindor  në Palermë, me liturgji, këngë dhe tradita të ndryshme nga ato latine. Megjithatë, si fëmijë e kisha pak të vështirë të përgjigjesha në arbërisht: e kuptoja sepse e gjithë familja me mua fliste vetëm atë gjuhë, por ta flisja më kërkonte sforcim. Me kalimin e kohës e tejkalova këtë pengesë, falë edhe gjyshërve — pothuajse njëqindvjeçarë — të cilët i vizitoja shpesh. Ata më tregonin për kohët e vjetra, për mënyrën e jetesës dhe gjuhën e së kaluarës. Sot, të flas arbërisht më bën të ndihem i gjallë; është një pjesë thelbësore e identitetit tim!

 Kur filloi interesi juaj për të mësuar shqipen standarde?

Interesi im lindi nga kureshtja për të eksploruar më tej origjinën time. Familja ime kishte një vetëdije të lartë për identitetin arbëro-bizantin. Mbaj mend xhaxhain tim (Vo’ Frankuçju), profesor i italishtes që njihte shkëlqyeshëm frëngjishten, latinishten, greqishten e vjetër dhe shqipen; me të bëja shpesh diskutime mjaft të frytshme. Në shtëpi kishim libra të përditësuar mbi gramatikën shqipe, pasi te ne shkrimi i arbërishtes ishte një zakon i pranishëm. Për më tepër, pas vitit 1999 — kur shqipja u njoh me ligj si gjuhë pakice në Itali — biblioteka e Horës botoi libra gramatikorë për shkollat, prej të cilëve prindërit më siguruan menjëherë disa kopje. Një shtysë tjetër e rëndësishme erdhi gjatë kohës së gjimnazit, kur vizitoja shpesh artistin arbëresh Spiridione ‘Dhoni’ Marino, në manastirin baziljan ‘Sklica’ në Horë. Aty lexoja me ëndje shkrime e revista si Mondo Albanese, të botuara nga At Zef Skiro Maji dhe të drejtuara nga Papa Gjergj Skiroi.

A mund të themi se të folmet arbëreshe janë një bazë e fuqishme për të mësuar shqipen standarde?

Pa dyshim! Mësimi i shqipes letrare është mjaft i lehtë për një arbëresh. Sipas mendimit tim, e folmja e ruajtur mirë e Horës së Arbëreshëvet afrohet mjaft me standardin, çka na ndihmon edhe më shumë. Personalisht — dhe në kundërshtim me disa rryma izolacioniste me të cilat nuk pajtohem — besoj se mësimi i shqipes letrare është një përvojë e pasurisë sonë shpirtërore. Ajo është njëkohësisht një detyrë thelbësore për të pasur një komunikim të natyrshëm e të duhur me të gjithë shqiptarët.

 Kur filluat të mësonit shqipen letrare, a patët vështirësi?

Vështirësi jo… megjithatë, disa gjëra të duken të reja. Një arbëresh mendon në arbërishten e tij, ndaj shumë fjalë i vijnë natyrshëm në versionin më “arkaik” që ka mësuar që i vogël. Procesi është ndryshe nga ai i një të huaji, i cili e mëson shqipen si diçka krejtësisht të panjohur me parë.

 Kur keni ardhur për herë të parë në trevat shqiptare?

Oh, kam kujtime fantastike nga ajo herë! Ishte shkurti i vitit 2012, viti i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ajo ishte edhe hera e parë që shkelja në tokën shqiptare, pikërisht në Kosovë. Kishte shumë borë dhe mbizotëronte një atmosferë e jashtëzakonshme paqeje e lumturie.

A mund ta përshkruani ndonjë moment, ndonjë përjetim, çfarë ndjeni atëherë?

Isha jashtëzakonisht i emocionuar! Të vizitoja ato treva kishte qenë një ëndërr e hershme që më në fund po bëhej realitet. Sot Shqipëria është bërë një destinacion shumë i njohur ndërkombëtarisht, por deri para një dekade nuk ishte kaq e zakonshme dhe jo shumë arbëreshë udhëtonin drejt saj. Për mua ishte diçka vërtet me vlerë dhe me kuptim të thellë.

Kur keni marrë pjesë për herë të parë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare?

Hera e parë ishte në edicionin e XXXI-të të Seminarit, në verën e vitit 2012. Isha praktikisht vetëm njëzet vjeç. Kisha pritshmëri të mëdha dhe sot e kësaj dite ruaj kujtime me të vërtetë të mrekullueshme nga ajo përvojë.

Edhe sa herë të tjera keni marrë pjesë në Seminar?

 Jam rikthyer në Seminar edhe tri herë të tjera: në vitet 2014, 2024 dhe 2025. Angazhimet e ndryshme profesionale dhe periudha e pandemisë më penguan të kthehesha sa do të dëshiroja. Për cilindo që është i dhënë a magjepsur pas albanologjisë, ky Seminar mbetet një përvojë e jashtëzakonshme që nuk duhet humbur.

A i keni vizituar trevat e tjera shqiptare?

Po! Përtej pjesëmarrjes në Seminar, jam përpjekur të vizitoj sa më shumë treva shqiptare në Ballkan. Më kanë prekur thellësisht kushtet dhe situata e shqiptarëve në disa zona të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa gjatë qëndrimit në Greqi (Atikë dhe Peloponez), ishte një përvojë e fuqishme të takoja arvanitët — sidomos të moshuarit — por edhe një dhimbje të shihja se gjendja e tyre gjuhësore dhe kulturore është jashtëzakonisht e rrezikuar.

Në Palermë është Katedra Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe. A keni kontakte me profesorët ose punonjësit e administratës?

Nuk kam ndjekur kurse atje, pavarësisht interesit tim të madh, por kam pasur nderin dhe kënaqësinë të njoh e të takoj profesorin Matteo Mandalà. Katedra e Shqipes në Palermë është pa dyshim një institucion me rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë botën arbëro-shqiptare.

Si është gjendja në këtë Katedër? A ka studentë që interesohen për të studiuar aty?

Nuk i di dinamikat e brendshme, por Katedra ka pasur gjithmonë studentë,  si nga komuniteti arbëresh, ashtu edhe italianë të tërhequr nga ky realitet i veçantë në Sicili. Gjithashtu, ka pasur shkëmbime studentore me universitetet e trevave shqiptare, si për shembull me Universitetin e Prishtinës në vitin e kaluar akademik, studentët e të cilit kanë studiuar me sukses këtu në Palermo.

Cilat janë manifestimet kryesore që mbahen në Palermë dhe në trevat arbëreshe si në Horën e Arbëreshvet e në vendet të tjera?

Ngjarjet janë nga më të ndryshmet: manifestime fetare, aktivitete kulturore, festivale tradicionale dhe gastronomike. Festat e shenjtorëve mbrojtës janë shumë të ndjekura, si ajo e Shën Mërisë së Favarës në Kuntisë (Contessa Entellina), e Kryqit të Shenjtë në Munxifsë (Mezzojuso) dhe Pallacë (Palazzo Adriano), e Shën Kristinës në Sëndastinë (Santa Cristina Gela), si dhe veçanërisht ajo e Shën Mërisë së Dhitrjes në Horën e Arbëreshëvet. Gjatë viteve në Palermë u organizua shpesh një tryezë e rrumbullakët për festimin e flamurit shqiptar; e njëjta gjë nderohet denjësisht edhe në Horën e Arbëreshëvet. Megjithatë, festa e festave mbetet pa dyshim Java e Madhe dhe e Shenjtë (Pashkët) për të gjitha katundet arbëreshe të Sicilisë dhe për famullinë tonë në Palermë, të bashkuara në Eparkinë e Horës së Arbëreshëvet. Gjatë kësaj periudhe, vizitori mund të përjetojë ritin e lashtë bizantin, sepse ne jemi besimtarë të traditës ortodokse por në bashkësi me Papën e Romës, si në kohën e Motit të Madh të Skënderbeut. Në Horën e Arbëreshëvet, gjatë Javës së Madhe admirohen edhe qindra veshje tradicionale madhështore, një burim i vërtetë krenarie dhe simbol i gjallë i identitetit tonë.

Sa janë të përfshirë nxënësit në mësimin e arbërishtes? A e mësojnë të gjithë fëmijët apo vetëm disa prej tyre?

Orët e arbërishtes në shkollë janë pa dyshim interesante dhe projektet e ndërmarra lënë gjurmë te nxënësit. Gjithashtu, Kisha jonë nëpërmjet katekizmit ka bërë gjithmonë një punë të shkëlqyer për t’ua mësuar fëmijëve shkrimin e gjuhës. Kisha Arbëreshe mbetet një gur me vlerë për ruajtjen e saj, por vatra familjare është thelbësore: asnjë projekt shkollor nuk e zëvendëson dot mësimin e ‘gjuhës së zemrës’ (ndërsa italishten, që mësohet më pas për nevojat e punës e të jetës, e quajmë ‘gjuha e bukës’). Sa i përket përdorimit të saj sot, në Horë të gjithë e njohin arbërishten. Megjithatë, numri i fëmijëve që nuk e flasin po rritet, kryesisht për shkak të martesave të përziera dhe rënies së ndërgjegjësimit te disa prindër.

Cilat janë manifestimet kryesore që mbahen në Palermë dhe në trevat arbëreshe si në Horën e Arbëreshvet e në vendet të tjera?    Ngjarjet janë nga më të ndryshmet: manifestime fetare, aktivitete kulturore, festivale tradicionale dhe gastronomike. Festat e shenjtorëve mbrojtës janë shumë të ndjekura, si ajo e Shën Mërisë së Favarës në Kuntisë (Contessa Entellina), e Kryqit të Shenjtë në Munxifsë (Mezzojuso) dhe Pallacë (Palazzo Adriano), e Shën Kristinës në Sëndastinë (Santa Cristina Gela), si dhe veçanërisht ajo e Shën Mërisë së Dhitrjes në Horën e Arbëreshëvet. Gjatë viteve në Palermë u organizua shpesh një tryezë e rrumbullakët për festimin e flamurit shqiptar; e njëjta gjë nderohet denjësisht edhe në Horën e Arbëreshëvet. Megjithatë, festa e festave mbetet pa dyshim Java e Madhe dhe e Shenjtë (Pashkët) për të gjitha katundet arbëreshe të Sicilisë dhe për famullinë tonë në Palermë, të bashkuara në Eparkinë e Horës së Arbëreshëvet. Gjatë kësaj periudhe, vizitori mund të përjetojë ritin e lashtë bizantin, sepse ne jemi besimtarë të traditës ortodokse por në bashkësi me Papën e Romës, si në kohën e Motit të Madh të Skënderbeut. Në Horën e Arbëreshëvet, gjatë Javës së Madhe admirohen edhe qindra veshje tradicionale madhështore, një burim i vërtetë krenarie dhe simbol i gjallë i identitetit tonë.  Sa janë të përfshirë nxënësit në mësimin e arbërishtes? A e mësojnë të gjithë fëmijët apo vetëm disa prej tyre? Orët e arbërishtes në shkollë janë pa dyshim interesante dhe projektet e ndërmarra lënë gjurmë te nxënësit. Gjithashtu, Kisha jonë nëpërmjet katekizmit ka bërë gjithmonë një punë të shkëlqyer për t’ua mësuar fëmijëve shkrimin e gjuhës. Kisha Arbëreshe mbetet një gur me vlerë për ruajtjen e saj, por vatra familjare është thelbësore: asnjë projekt shkollor nuk e zëvendëson dot mësimin e ‘gjuhës së zemrës’ (ndërsa italishten, që mësohet më pas për nevojat e punës e të jetës, e quajmë ‘gjuha e bukës’). Sa i përket përdorimit të saj sot, në Horë të gjithë e njohin arbërishten. Megjithatë, numri i fëmijëve që nuk e flasin po rritet, kryesisht për shkak të martesave të përziera dhe rënies së ndërgjegjësimit te disa prindër.

Si është gjendja kulturore atje? Si organizohen takimet dhe aktivitetet kulturore?

 Jeta kulturore e arbëreshëve të Siçilisë është mjaft dinamike dhe shkon përtej një tradite thjesht popullore. Ekziston një rrjet i tërë komunitetesh, institucionesh e shoqatash që përpiqen të mbajnë gjallë gjuhën, kujtesën historike, ritin bizantin, muzikën dhe zakonet tona, ndonëse vitaliteti i tyre ndryshon nga njëri katund në tjetrin. Një veçori e rëndësishme është se te ne kultura dhe feja janë historikisht të ndërthurura ngushtë, ku Eparkia e Horës luajti dhe luan një rol thelbësor. Aktivitetet janë të shumta: nga konferencat e prezantimet e librave, te studimet gjuhësore, ekspozitat e shfaqjet teatrale. Këto organizohen nga bashkëpunimi i bashkive, kishës, shkollave, grupeve folklorike dhe studiuesve tanë. Nëse dikur revistat dhe radioja luanin edhe ata një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e gjuhës, sot ka iniciativa me vlerë nga vetë të rinjtë. Për shembull, pata kënaqësinë të zbuloj faqen online ‘Arbor’, të krijuar nga një djalë i ri nga Hora, e cila synon t’i rikthejë gjuhën arbërishte popullit arbëresh përmes teknologjisë.

Të kthehemi te Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. Sa ju ka ndihmuar ai për ta përvetësuar gjuhën standarde?

 Seminari ka dhënë pa dyshim një kontribut të madh! Ai i ka hapur rrugën shumë pjesëmarrësve që sot janë profesionistë të kësaj fushe. Përjetimi i plotë në ‘kryeqytetin e dytë të shqiptarëve’ është diçka me vlerë të madhe dhe për mua ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Sot jam i familjarizuar me vizitat në Shqipëri, por të jesh në Seminar mbetet gjithmonë diçka e mrekullueshme dhe emocionuese. Ndër aspektet më interesante është mundësia unike për të praktikuar e folur shqipen — përfshirë dialektin gegë — me njerëz nga e gjithë bota. Për dy javë me radhë, gjuha që na bashkon të gjithëve është vetëm shqipja. A nuk është diçka e jashtëzakonshme? Meqë kjo veprimtari ka karakter ndërkombëtar, Seminari mbetet një urë e fuqishme lidhëse dhe një pikëtakim me vlerë të jashtëzakonshme për gjuhën, kulturën dhe dinjitetin e popullit shqiptar.

A do të merrni pjesë edhe në vitet e ardhshme në seminare të tilla?

Po, do të jem shumë i lumtur të marr pjesë sërish. Seminari është një laborator i vërtetë i albanologjisë dhe një mundësi e çmuar për t’u takuar, diskutuar e për të mësuar më shumë rreth botës shqiptare. Duke pasur parasysh se nuk kam mundur të marr pjesë aq shpesh, sa do të kisha dashur, më duhet ende të ‘zë’ kohën e humbur! Shpresoj ta bëj këtë duke pasur më shumë vazhdimësi dhe duke shijuar këto hapësira studimi e shkëmbimi. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj nga zemra Universitetin e Prishtinës, e veçanërisht Fakultetin e Filologjisë, që bëjnë të mundur organizimin e Seminarit.

 Si mendoni se mund t’ju vijmë në ndihmë që ju t’i mbani sa më mirë vlerat shpirtërore, gjuhën dhe kulturën arbëreshe?

Besoj se ndihma më e madhe që mund të na ofroni është krijimi i mundësive të vazhdueshme për t’u takuar, për të folur për popullin arbëresh dhe për t’u thelluar në historinë e kulturën tonë. Seminare të tilla, si ato të Prishtinës, janë gurë të çmuar dhe kanë një rëndësi të veçantë, sepse na lejojnë jo vetëm të ruajmë atë që kemi trashëguar, por edhe t’ua përcjellim atë brezave të rinj në mënyrë të gjallë e bashkëkohore. Do të ishte e mrekullueshme të kishim edhe më shumë aktivitete që përfshijnë drejtpërdrejt të rinjtë: takime, projekte, kurse gjuhe, muzikë, teatër, botime dhe shkëmbime me Shqipërinë e me komunitetet e tjera arbëreshe. Në fund të fundit, një kulturë ruhet më mirë kur jetohet, jo vetëm kur studiohet. Natyrisht, edhe ne arbëreshët kemi një përgjegjësi të madhe: të marrim pjesë, ta flasim gjuhën sa më shumë, ta mësojmë dhe ta përcjellim atë. Duhet të marrim shembull nga paraardhësit tanë dhe nga historia jonë; ata donin me çdo kusht të mbeteshin arbërorë. Vetëm duke punuar me veten, duke e mbajtur gjallë ndjenjën e identitetit dhe duke qëndruar të bashkuar, do t’ia dalim t’i mbajmë këto vlera të gjalla për një kohë të gjatë.

Cilat janë kërkesat tuaja për institucionet e të dy shteteve shqiptare, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës?

Kërkesa ime kryesore është forcimi, vazhdimësia dhe strukturimi i marrëdhënieve me komunitetet arbëreshe. Të dyja shtetet mund të luajnë një rol vendimtar jo vetëm në promovimin ndërkombëtar të shqipes, por edhe në mbrojtjen e pasurimin e vetë arbërishtes. Më erdhi shumë mirë kur pashë se në Tiranë u krijua ‘Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët’. Në këtë kuadër, nisma si Seminaret e Prishtinës apo të Tiranës janë hapësira të çmuara takimi, por do të doja që këto kontakte të bëheshin më të shpeshta e institucionale. Republika e Kosovës sot është një shtet i lirë dhe Republika e Shqipërisë është gjithnjë e më afër Bashkimit Evropian, ndaj është kohë e veprimeve të duhura që këto mundësi të bëhen realitet e të marrin trajtë të qëndrueshme. Së pari, mbështetja me mësues të kualifikuar të gjuhës shqipe në katundet arbëreshe do të ishte një hap me vlerë të jashtëzakonshme. Së dyti, na nevojiten më shumë shkëmbime për të rinjtë: jo thjesht vizita turistike, por projekte universitare, kurse e periudha studimi. Për shembull, mund të krijoheshin mundësi akomodimi të ndërsjellë për studentët arbëreshë në Shqipëri e Kosovë, dhe anasjelltas. Gjithashtu, lehtësimi i qasjes te mediat dhe platformat televizive në gjuhën shqipe për familjet arbëreshe do të ndihmonte drejtpërdrejt në mbajtjen gjallë të gjuhës. Së fundi, ka një gjest me peshë të madhe simbolike dhe historike: dhënia e mundësisë për arbëreshët që e dëshirojnë për të marrë shtetësinë dhe pasaportën shqiptare. Kjo do të ishte një shenjë e fortë mirënjohjeje për një komunitet që për shekuj me radhë ruajtën gjuhën e kujtesën kombëtare larg atdheut. Megjithatë, nuk do të doja që arbëreshët të shiheshin thjesht si ruajtës të një muzeu të së kaluarës; ne jemi një urë e gjallë mes historisë dhe të sotmes. Mbështetja e Shqipërisë dhe e Kosovës nuk është një ‘ndihmë për arbëreshët’, por një investim i përbashkët në një trashëgimi që u përket të gjithë shqiptarëve.

Cila është porosia e juaj për fëmijët dhe të rinjtë arbëreshë?

Dëshiroj të përcjell një mesazh që lind, para së gjithash, nga mënyra se si gjuha jonë m’u  përcoll në familje: me dashuri, pasion dhe respekt. Do t’i nxisja të rinjtë të ushqejnë pasion për arbërishten, ta mësojnë, ta flasin dhe ta çmojnë atë, sepse është një pjesë e çmuar e qenies sonë, e identitetit dhe e historisë sonë. Është gjuha që na përket dhe prandaj kemi detyrën ta duam e t’ua kalojmë brezave të ardhshëm. Megjithatë, këtë mesazh dëshiroj t’ia drejtoj mbi të gjitha të rriturve: prindërve, që t’u mësojnë fëmijëve dashurinë për gjuhën që në fëmijëri; klerikëve të rinj, që të mos e harrojnë rolin themelor që Kisha Italo-Shqiptare — me priftërinjtë, murgjit e murgeshat e saj — ka luajtur ndër shekuj; si dhe udhëheqësve lokalë, që ta shohin këtë trashëgimi jo si një relike të së kaluarës, por si një përgjegjësi të gjallë që duhet kultivuar sot. Paraardhësit tanë na lanë një pasuri të jashtëzakonshme. Na takon neve të vendosim nëse do të mjaftohemi vetëm duke e kujtuar atë, apo do të gjejmë guximin për ta mbajtur gjallë. Të rinjve tanë do t’u thosha: mos kini frikë ta flisni gjuhën tuaj dhe mos e shihni atë si diçka të vjetruar. Duajeni, sepse përmes saj flasin rrënjët tona, një pjesë jetike e identitetit tonë edhe në botën komplekse ku jetojmë.

 A dëshironi të shtoni edhe diçka tjetër që mund të mos e kem përmendur?

Dëshiroj së pari t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës, zoti Isuf, për durimin dhe pasionin tuaj të madh për punën që bëni. Ishte një kënaqësi e veçantë t’ju njoh! Dhe po… dua ta përmbyll këtë intervistë duke kujtuar një njeri që ka qenë i pranishëm në Seminarin e Albanologjisë në Prishtinë që nga fillimet e tij, e që i dha aq shumë çështjes shqiptare dhe pavarësisë së Kosovës: të ndjerin Giuseppe ‘Zef’ Chiaramonte Musacchia, një kushëri im i largët, i cili u nda nga jeta parakohe.

 Unë ju falënderoj nga zemra, i dashur Gabriele dhe uroj që gjaku e kultura arbëreshe të mbeten gjithmonë të gjalla! Uroj të jeni përherë të lidhur me ne, vëllezërit e motrat tuaja në trevat shqiptare, sepse vetëm kështu do ta ruajmë qenësinë tonë të përbashkët arbëro-shqiptare.

Mirupafshim! Ose siç thuhet te ju, në Arbërinë e Siçilisë: ‘Qavarrisu’!

Po e përmbyllim këtë bisedë me disa vargje prekëse nga poeti, mësuesi, atdhedashësi ynë i madh, rilindësi ynë i shquar Jeronin de Rada.

Udhës eja e gëzuar,
si lulja që çel në pranverë.
Dielli lind e përsëri perëndon,
por gjuha e gjaku ynë
mbeten përherë…

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: Flet ish-oficeri i Xhenios, Ilirjan Dhima

Ilirjan Dhima: Nëse do të kishte korrupsion të përmasave që dëgjojmë në Shqipëri, i gjithë populli grek do të ishte në këmbë, pasi nuk falen skandalet publike

-Greqia ka një frymë të fortë qytetare dhe kombëtare, kur shfaqen skandale apo raste korrupsioni, …