Albert Z. Zholi

Albert Z. ZHOLI: Qerosi, zgjuarsia që fiton mbi përbuzjen

Përrallat popullore shqiptare janë të mbushura me figura që, edhe pse duken të dobëta apo të përçmuara, në fund tregojnë vlerat e tyre të vërteta. Një ndër këto figura është Qerosi, një djalë që shpesh tallet nga të tjerët për pamjen e tij, por që në të vërtetë është më i zoti dhe më i guximshmi, më zemërgjeri nga të gjithë. Historia vjen së largu! Në fillim të tregimit, flitet për një mbretëri… ku mbreti kishte tre djem dhe një problem të madh: një kuçedër i merrte gjithmonë të gjitha frutat nga pemët. Mbreti nuk shijonte dot asnjë frut. Frutat ishin ushqimi i preferuar i tij por edhe i kuçedrës. Kur nuk hante Mbreti, sigurisht, askush tjetër nuk mund të hante fruta.

Mbreti vuri në prove djemtë. Dy djemtë e mëdhenj të Mbretit, edhe pse dukeshin të fortë, treguan frikë dhe nuk arritën ta përballonin kuçedrën. Mbreti u bë pesimist. Edhe ai kishte rezerva ndaj Qerosit. Por, djali i tretë, Qerosi, që përbuzhej nga vëllezërit, tregoi guxim dhe vendosmëri. Ai jo vetëm që e plagosi kuçedrën në duelin e parë, por u nis për ta vrarë përfundimisht.

Me zgjuarsinë e tij krijonte rrethana sikur vinte përballë kuçedrës, kur në të vërtetë e godiste ku nuk e priste. Kuçedra habitej me zgjuarsinë e Qerosit. Gjatë rrugës për duelin vendimtar, Qerosi përballet me shumë sfida dhe prova. Ai takon vajza të bukura, fiton besimin e tyre dhe merr dhurata të çmuara. Më pas arrin ta vrasë kuçedrën dhe shpëton një vajzë që kuçedra e kishte futur në gropë, duke treguar jo vetëm trimëri, por edhe zemër të mirë. Megjithatë, vëllezërit e tij tregohen ziliqarë dhe e tradhtojnë duke e lënë në fund të gropës. Edhe në këtë moment të vështirë, Qerosi nuk dorëzohet. Ai shpëton zogjtë e shqiponjës në fund të gropës së thellë dhe, si shpërblim, ndihmohet nga shqiponja për t’u kthyer në tokë. Me zgjuarsi dhe durim, ai arrin të zbulojë të vërtetën dhe të tregojë se është ai Heroi i vërtetë. Në fund, ai shpërblehet duke u bërë mbret dhe duke jetuar i lumtur, por duke bërë të lumtur edhe gjithë banorët e mbretërisë së Tij.

Ai drejtori me qetësi, zgjuarsi, drejtësi dhe harmoni. Kjo përrallë na jep një mësim të rëndësishëm: nuk duhet të gjykojmë njerëzit nga pamja e jashtme. Qerosi, edhe pse i përqeshur, doli më i zgjuar, më trim dhe më i drejtë se të gjithë. Ai tregon se zgjuarsia, durimi dhe guximi janë cilësi që të çojnë drejt suksesit. Figura e Qerosit mbetet një simbol i mençurisë popullore shqiptare, duke na mësuar se e mira dhe e drejta gjithmonë fitojnë, pavarësisht vështirësive. Qerosi dhe tregimet popullore shqiptare Në tregimet popullore shqiptare gjenden shpesh figura të thjeshta, por shumë të zgjuara, që me mençurinë e tyre arrijnë të dalin nga çdo situatë. Një ndër këto figura është edhe Qerosi, një njeri pa flokë, i cili shpesh bëhej objekt talljeje, por që në të vërtetë ishte shumë i mençur dhe i kthjellët në mendime. Qerosi njihej si një njeri i zgjuar, që dinte të gjente zgjidhje edhe në momentet më të vështira.

Edhe pse të tjerët e fyenin për pamjen e tij duke e quajtur “qeros”, ai nuk zemërohej. Përkundrazi, qëndronte i qetë dhe u përgjigjej me mençuri dhe humor, duke i lënë shpesh të habitur ata që e nënvlerësonin. Në shumë raste, njerëzit i drejtoheshin Qerosit kur kishin halle apo probleme. Ai i dëgjonte me kujdes dhe jepte këshilla të drejta, duke treguar se zgjuarsia dhe karakteri janë më të rëndësishme se pamja e jashtme. Përmes fjalëve të thjeshta, ai arrinte të zgjidhte situata të ndërlikuara dhe të sillte paqe mes njerëzve. Legjenda e Qerosit na mëson një mësim të rëndësishëm: nuk duhet të gjykojmë njerëzit nga pamja, por nga vlerat dhe aftësitë e tyre. Ai mbetet një simbol i mençurisë popullore, i durimit dhe i qetësisë, që edhe përballë fyerjeve ruan dinjitetin dhe zgjuarsinë. Edhe pse e tallnin vazhdimisht, Qerosi me sjelljen e tij të mençur, me durimin dhe me veprat e mira, arriti t’i bënte të gjithë për vete dhe të fitonte respektin e tyre. Qerosi është një figurë që na kujton se mendja dhe zemra e mirë janë cilësi që e bëjnë njeriun të madh, pavarësisht nga ajo që duket nga jashtë.

Kontrolloni gjithashtu

Fjala e Fadil Begut komandant i UÇK, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Fadil Begu: ATA PO VIJNË

Ju tretën nga atdheu, Ju lidhën me zinxhirë në kafaze, Ju mbështollën me lecka Ju …