Bedri TAHIRI: Nekrologji ALI  PECI- MËSUES I DIJES DHE I QËNDRESËS-U shua një pishtar i arsimit dhe atdhetarisë

Sot, më 3 korrik 2026, në moshën 93-vjeçare, në Londër, pushoi së rrahuri zemra e një veprimtari të heshtur, por të palëkundur të çështjes kombëtare- Prof. Ali Xhemë Peci- Zhazha, mësimdhënës i devotshëm dhe i burgosur politik.

Jeta e tij ishte një rrugëtim i mbushur me përkushtim ndaj arsimit, dashurisë për atdheun dhe qëndresës përballë padrejtësive. Ai edukoi breza të tërë me dijen dhe shembullin e tij, ndërsa për idealet e lirisë e të dinjitetit kombëtar pagoi edhe me burg, pa u përkulur kurrë.

Me vajtjen e Tij në përjetësi,  Zhazha, Shala, Kosova dhe mbarë Shqiptaria humbën një bir të denjë, një mësues të urtë dhe një atdhetar të pathyeshëm, ndërsa kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Peci, të afërmve, miqve, bashkëluftëtarëve të idealit dhe ish-nxënësve të tij.

Cili ishte Ali Xhemë Peci?

 

Ali PECI- u lind më 12 korrik 1933, në fshatin Zhazhë të Mitrovicës. Shkollën fillore e mbaroi në Boletin, kurse Progjimnazin në Mitrovicë. Në pranverën e vitit 1921, xhandarët e Kralevinës e rrethojnë Kullën e qëndresës kombëtare në Zhazhë, dhe në luftime me shkije e me shërbëtorët e tyre, bien dëshmorë duke luftuar heroikisht: Fazli Smajli, Sadri Smajli, Hajriz Mustafa, Sylë Polaci, Bardhec Klladërnica (nip), kurse vdes si pasojë e torturave me kripë Ali Smajli, në verën e vitit 1921. Korbat e Krajlit me servilët e tyre, bënë çmos për të vrarë edhe Xhemën 12 vjeç e Hajdarin 9 vjeç, në mënyrë që ta shuanin tërësisht këtë familje atdhetare, por falë Zotit, ata shpëtuan duke u strehuar në fshatin Vllahi të Shalës.

Ramadan Çerkin Peci, është dëshmori më i ri i kësaj familjeje, i cili u vra në luftën e fundit për çlirimin e Kosovës, më 27 maj 1999. Ramadani është biri i nacionalistit Çerkin Hajdar Peci, i dënuar tri herë për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, nga regjimi terrorist titist.

Më 21 shkurt 1947, Ali Pecit forcat ushtarake barbare serbe ia pushkatojnë babain Xhemën-luftëtarin e paepur dhe Dëshmorin e Shqipërisë Etnike, pak metra larg shtëpisë së tij në Zhazhë, në moshën 38 vjeçare.

Më 1. 9. 1950, si 17 vjeçar u pranua mësues në Tugjec, ku punoi deri më 1 mars 1955. Në vjeshtën e vitit 1953, së bashku me shokët Shaban Shala, Emrush Bejta e Selim Buzoku, formojnë Organizatën ‘Balli Kombëtar.’

Më 1955 punon si mësues në Kaçanik, Vllahi të Shalës, e Shajne të Sharrit.

Më 19 shkurt 1955 kapet me tradhti në Malin Koritnik, në përpjekje për të kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar e për të dalë në Shqipëri.

Më 12 prill 1956, në Gjyqin e Qarkut në Gjilan, dënohet me 8 vjet burg, duke e vuajtur një pjesë të dënimit edhe në Burgun e Nishit e të Goli-Otokut.

Më 1 mars 1962 burgoset për herë të dytë, duke u arrestuar pas mesnate në fshatin e tij të lindjes, Zhazhë, për shkak të shpërndarjes së Flamurit kombëtar shqiptar, pa ylli. Më 29 qershor 1962, në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, në mungesë të fakteve, lirohet nga burgu.

Në fillim të marsit burgoset për herë të tretë në Mitrovicë, dhe lirohet nga Burgu i Mitrovicës, më 30 maj 1981.

Nga data 1 shtator 1965, deri më 1 shtator 1970, punon si arsimtar në Prilluzhë, Stanoc i Epërm e Boletin.

Nga data 1 shtator 1970 deri më 4 qershor 1973, punon si arsimtar në Progjimnazin “Nonda Bulka”, kur edhe e përjashtojnë nga arsimi si i papërshtatshëm ideo-politikisht për regjimin juogosllav.

Më 1981, për dy muaj punon si përkthyes në RTK, prej ku përjashtohet nga serbofilët, si i papërshtatshëm për regjimin.

Nga data 1 shtator 1973 deri më 19 shkurt 1991, punon si përkthyes në sipërmarrjen “Kosovosirovina”, prej ku edhe pensionohet.

Më 1968/1970 mbaron studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, pa shkëputje nga puna, si dhe studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, më 2. 3. 1973, ku merr titullin Profesor, me temën “Krijimtaria poetike dhe atdhetare e Hilë Mosit”, përpara Komisionit të përbërë nga profesorët: Latif Berisha, Enver Gjerqeku dhe Isak Shema.

Më datën 8 qershor 1998 më fund udhëton në Shqipëri, ku çmallet me atdheut e ëndërruar aq shumë. Më 8 dhjetor 1998 udhëton për në Londër.

Si i biri i nacionalistit të pushkatuar, dhe si i pjesëtar i një familje atdhetare të dëshmuar, ai u ndoq shpesh si i dënuar politik dhe u persekutua nga regjimi titist jugosllav.

Ideali i tij mbetet Shqipëria Etnike, e Ribashkuar dhe e qeverisur sipas parimeve të elitës më mendjendritur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për një shtet gjithë shqiptar në Gadishullin e Ilirisë.

Ky burrë katërqind dërhemë, në këtë përvjetor, na solli edhe dy dhurata të çmuara, dy margaritarë, dy lapidarë përjetësie, dy flakadanë të pashuar lirie, dy monumente kulture, që rrezatojnë përherë atdhedashuri e aromë lirie! Janë këto dy kryevepra të qëndisura me fije argjendi nga dora e tij mjeshtërore, të cilat ia sigurojnë Pavdekësinë:

  1. Shaban Shala- Hero i Shqipërisë Etnike dhe
  2. Xhemë Zhazha- Dëshmor i Shqipërisë Etnike

Lavdi jetës dhe veprës së Ali Xh. Pecit!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Të!  

Kontrolloni gjithashtu

OVL e UÇK-së në Drenas nderon me mirënjohje postmortum drejtorin e Radios Kosova e Lirë, profesor Ahmet Qeriqin

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Drenas, ka ndarë Mirënjohje postmortum për …