Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka deklaruar se pret me padurim shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, vendim ky që nga Dhomat e Specializuara në Hagë është caktuar për datën 16 shtator 2026. Përfaqësuesi i OVL-së së UÇK-së, Gazmend Syla, vlerësoi se ky proces gjyqësor është zgjatur tej mase, duke pasur parasysh se ish-drejtuesit e UÇK-së po mbahen në paraburgim prej gjashtë vitesh pa një verdikt final. Ai shprehu shpresën se gjykata do të marrë një vendim lirues nëse bazohet ekskluzivisht mbi prova dhe fakte. Ai shfaqi gjithashtu skepticizmin e organizatës, duke ngritur shqetësime se vendimi mund të ndikohet nga faktorë politikë, për shkak se sipas tij gjykata ka devijuar nga misioni i saj fillestar i bazuar në raportin e Dick Martit. Lidhur me qëndrimin përfundimtar dhe hapat institucionalë ose protestues që do të ndërmarrë organizata, Syla bëri me dije se Kryesia e OVL-së së UÇK-së do të mblidhet më 25 gusht për të diskutuar dhe për të informuar opinionin publik mbi vendimet e mëtutjeshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
