Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin ushtarak, Jashari pret gjeneralin Dimo

Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po merr një dimension të ri, me synimin për të avancuar arsimimin, trajnimin dhe shkëmbimin e përvojave profesionale ndërmjet dy forcave ushtarake.

Në kuadër të këtij angazhimi, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo.

Gjatë takimit është diskutuar për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në arsimimin dhe edukimin ushtarak, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e kapaciteteve të personelit ushtarak.

Gjenerallejtënant Jashari ka vlerësuar bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në ngritjen e mëtejshme të njohurive, aftësive profesionale dhe përgatitjes së kuadrove ushtarake, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin institucional të të dyja forcave.

Në përfundim të takimit, të dy gjeneralët kanë riafirmuar përkushtimin për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke e vlerësuar arsimimin dhe edukimin ushtarak si një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin dhe forcimin e institucioneve të mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Limaj: Specialja ia pështyu në fytyrë shtetin e Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si Gjykata Speciale …