BQK alarmon qytetarët: Kujdes nga mesazhet që premtojnë fitime të shpejta përmes investimeve

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka ngritur alarmin për një skemë mashtruese që po qarkullon përmes aplikacioneve të komunikimit, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve dhe ftesave të dyshimta për investime. Sipas BQK-së, qytetarët po kontaktohen nga numra ndërkombëtarë dhe ftohen të bëhen pjesë e grupeve të ndryshme të investimeve, zakonisht përmes një lidhjeje të jashtme. Mesazhet paraqesin oferta që premtojnë mundësi të favorshme dhe përfitime financiare nga investimet në treg. Institucioni paralajmëron se këto ftesa mund të jenë pjesë e tentativave për mashtrim ose për marrjen e të dhënave të qytetarëve. Në disa raste, vetë aplikacioni i komunikimit mund të shfaqë paralajmërim se përmbajtja ose lidhja mund të jetë keqdashëse. BQK u rekomandon qytetarëve që të mos klikojnë në lidhje të panjohura dhe të mos ndërveprojnë me mesazhe të tilla, veçanërisht kur ato vijnë nga numra të panjohur dhe premtojnë fitime të shpejta. Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos ndajnë të dhëna personale, informacione bankare apo të dhëna të tjera financiare, si dhe të mos kryejnë pagesa bazuar në këto ftesa. BQK thekson se çdo ofertë investimi duhet të verifikohet me kujdes dhe se qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm ndaj ofertave që premtojnë përfitime të mëdha në një kohë të shkurtër.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku: Kuvendi u përket qytetarëve, politika ka kuptim vetëm kur u shërben atyre

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kuvendi i …