Bashkim Kozeli është autor i njohur si dramaturg dhe dramat e tij dallohen për konfliktet e mprehta, duke pasur si bosht kryesor njeriun dhe shoqërinë, ku personazhet shfaqin një botë të brendshme shpirtërore mbushur me mëdyshje dhe
kundërshti. Bashkim Kozeli di aq bukur ta lidhë konfliktin e brendshëm me atë të jashtëm, saqë tablotë dhe ngjarjet jetësore të duken sikur zhvillohen para syve të tu.Talenti prej dramaturgu të spikatur i ka dhënë atij mundësi që këtë aftësi ta
manifestojë edhe në prozë dhe konkretisht në romanin “TI I DUHESH KOSOVËS…”Ky roman shpërfaq prirjen e natyrshme të këtij autori, prirje që shkon drejt dinamikës së ngjarjeve, ku rëndësi kryesore i vihet dialogut dhe situatave përshpejtuese, të cilat“nguten” të realizohen sa më shpejt për shkak të kohës së pamjaftueshme për të siguruar qetësinë e nevojshme reflektuese. Kuptohet se reflektimi do të vijë më vonë për shkak të rëndësisë së tyre dhe momentit historik apo konteksteve të tjera që ato përfaqësojnë apo ndodhen. Kjo bën që ngjarjet episode të lexohen sipas ritmit të tyre të shpejtë dhe romani të realizojë një kuadrat
kohor shumë të rëndësishëm.
Bashkim Kozeli kap një moment krucial të të historisë shqiptare, luftën e UÇK-së dhe pjesëmarrjen e të rinjve nga të gjitha viset shqiptare dhe nga emigracioni në të.
Duke iu qasur kësaj teme e duke guxuar ta mishërojë atë artistikisht, autori ka arritur ta realizojë atë në një roman të bukur, të rrjedhshëm, realist dhe dokumentues .
Viti 1997 jepet si sfond ideor, ku ngjarjet e tij shpalosen si ndikim në vitin 1998 dhe këtë na e sqaron prologu i romanit, një prolog i shkurtër parapërgatitës për ta kapur e për të ndjerë frymën si dhe orientimin leximor se nga do të ecinngjarjet që vijnë më pas.
Me një gjuhë të kursyer (tiparet e stilit të një dramaturgu ku veprimi është kryesor)- autori e nis romanin në mënyrë interesante.
Shqipëria e ndodhur në katrahurën e saj, në kaosin social -politik e me batërdinë që dihet, paraqitet nga autori me një realizëm dramatik e me detaje ngjethëse.Megjithatë edhe me plagën e saj, Shqipëria hap krahet për vullnetareët ardhur ng te gjitha anet, për tu stervitur e për të shkuar të luftojne në Kosovë..
Kapitujt e romanit janë të shkurtër, duke dhënë një minimum ngjarjesh dhe episodesh që mbajnë peshën e ankthit të diçkaje që nuk pret. Kjo mënyrë e vlerësimit të situatave e bën romanin e Bashkim Kozelit të zhveshur nga përshkrimet e shumta- dhe prozën e tij të orientuar e të ngjizur me tharmin e një veprimi intensiv.
Personazhi kryesor GENTI jepet në një hapësirë të gjërë edhe mjedisore, edhe kohore. Shqipëria dhe Kosova shihen si dy pjesë të përbashkëta të ndërlidhura , ashtu siç janë. Genti tashmë, është rreshtuar në grupin e vullnetarëve të lirisë.
Romani lartëson artistikisht figurat e atyre ushtarakëve të Shqipërisë, njerëz të përgatitur e patriotë, që instruktuan djemtë e Kosovës dhe i trajtuan ata si vëllezër. Në situata të vështira zbërthehen tipa dhe karaktere me vërtetësi, siç është Sokoli, Salë Prenda, Haliti, major Ganiu e të tjerë. Gjithnjë narrator i qëndron
besnik autenticitetit të ngjarjeve, duke dëshmuar njohje të temës e zbërthim të motiveve, duke zhvilluar ato e duke i sjellë sikur lexuesi të jetë aty- me një gjuhë filmike të lirshme.
Është meritë e tij që me pak përshkrime të zbulojë një botë psikologjike të ndjeshme, ku përvijohet dhe shpërthen një spektër emocional i fuqishëm, i cili jep një përjetim që shmang distancat e ftohta të indiferencës ndaj tekstit.. Dhe s’ka se si, këto situata ankthioze nuk mund të krijojnë indiferencë, ato jepen shkurt e
plotpjesshëm, duke u rritur e zgjeruar nga fillimi për të arritur disa kulminacione. Përcaktimi i subjektit në këtë roman ndjek rrjedhën e ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur, të paraqitura reale edhe nga kronikat dhe dëshmitë e kohës.
Organizimi kompozicional bëhet me kapituj të shkurtër, të cilët mbajnë thelbin e një miningjarjeje që, në përgjithësi, bëhet bazë e zgjerimit të kuptimit për ngjarjen e madhe të luftës. Duket sikur kemi një gjerdan rruazor ngjarjesh të varura në fatin e jetës së
njerëzve, të cilët nuk e mendojnë se një ditë do të vriten (disa shokë të Gentit vriten dhe në fund edhe Genti), por shkojnë përpara me guxim. Një hare trimërore e lirisë, që jepet si shpresë e sigurtë, i pushton këta djelmosha dhe i bën ata të mos e marrin parasysh asnjë lloj rreziku. Thelbi i karaktereve i shfaqur në veprim pa
përshkrime të tepërta na sugjeron gjithashtu një aftësi autoriale që të thuash pak e të nënkuptosh shumë. Këta janë djem të rinj plot ëndrra, plot dëshira (ashtu edhe siç ka ndodhur), që lanë jetën e qetë në Perëndim, që nuk dinin çfarë ishte arma, që lanë të fejuarat
ose të dashurat larg dhe erdhën të fejoheshin e të martoheshin me idealin e lirinë e Kosovës, disa prej të cilëve u bënë fli në altarin e lirisë së kombit.
Kjo është ideja qendrore që përcjell frymën e kësaj proze që ndihmon çdo aspekt të kompozimit të këtij romani të shkurtër, realist e me një rrëfim, ku përndizet e gjallon një frymëzim i pastër i idealit liridashës.
Bashkim Kozeli nuk është nisur të japë tmerret e luftës ndonëse ato
tregohen. Qëllimi i tij ka qenë dhe ia ka arritur artistikisht të japë heroikën e saj. Dhe heroika e shpërfill tmerrin, edhe pse lufta ka koston e saj. Për ta zgjeruar hapësirën narrative të romanit jo si qëllim, por në lidhje me personazhet që trajton, shkrimtari ka dhënë figurën e njerëzve të tjerë, siç është çobani. I gjithë
populli i atyre zonave veriore (Kukës, Has, Tropojë) por edhe populli shqiptar në tërësi, u bë një përkrahës i drejtpërdrejtë apo moral i kësaj lufte me një agresor brutal e të pamëshirshëm, me mizoritë e tij që tejkalojnë moralin më minimal. Aspekte të ndryshme të kësaj fryme mobilizuese rrëfimtari i jep me realizëm,por edhe me një poetikë të veçantë.
Në parimin krijues të Bashkim Kozelit, siç e kemi thënë edhe më lart, nuk është përshkrimi i ngjarjeve, (ndonëse ato kanë masën e tyre), por shenjat e tyre në jetën e personazheve të caktuar. Ai jep tmerrin e masakrave serbe, fshatrat e djegur, por edhe përdhunimin e Dilës, në kapitullin “Më keq se vdekja”.
Një nga linjat më tronditëse e më lirike në roman është linja e personazheve Gent-Sokol, ku Sokoli është një vajzë, (Vesa), e maskuar si djalë. Martesa e tyre, lindja e një djali nga kjo martesë dhe vajtja e Gentit të luftojë në trojet etnikes hqiptare, si dhe vrasja e tij, kanë një domethënie të madhe kuptimore dhe fitojnë
në strukturën e në përmbushjen e synimit të idesë dhe mesazhit, injektimin edhe të një emocioni të thellë e tronditës.
Genti, djali nga Tirana është qendra e rrëfimit. Ai nuk paraqitet thjesht si një individ, por edhe si përfaqësues i një brezi dhe i një realiteti shoqëror dhe historik. Ai sikur “ngutet” të hyjë në këtë realitet për të fituar përjetësinë e tij. Martesa me Vesën dhe lindja e djalit, të cilit ia vënë emrin e të atit, Gent, fiton një simbolikë të hollë dhe krijon mesazhin e vazhdimësisë…
Bashkim Kozeli ashtu si në poezi dhe dramaturgji, edhe me këtë roman e pasuron krijimtarinë e tij artistike, por sjell edhe një kontribut në pasqyrimin e temës së luftës për liri që bënë kosovarët dhe kombi shqiptar në fundshekullin XX, duke i dhënë një kuptim të ri edhe historisë së Ballkanit dhe Europës.
Vlorë-Tiranë, gusht
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
