Dr. Skënder Demaliaj: SHKOLLA E MESME “MURAT PACI”, PAC, TROPOJË ËSHTË NJË KAPITULL I ÇMUAR I JETËS SIME (Ish-drejtor i shkollës)

Dr. Skënder Demaliaj: SHKOLLA E MESME “MURAT PACI”, PAC, TROPOJË ËSHTË NJË KAPITULL I ÇMUAR I JETËS SIME (Ish-drejtor i shkollës)

Fjala përshëndetëse në 50-vjetorin e saj, më 21 nëntor 2026

Të nderuar të pranishëm, Të dashur bashkëqytetarë, kolegë, ish-nxënës dhe miq!

Ka ditë në jetën e njeriut kur kthimi pas nuk është thjesht kujtim, por emocion, krenari dhe një takim i veçantë me vetveten. E tillë është për mua kjo ditë.

Ndihem jashtëzakonisht i gëzuar dhe i nderuar që ndodhem sot këtu, në 50-vjetorin e shkollës së mesme “Murat Paci”, një institucioni që nuk përfaqëson vetëm një pjesë të rëndësishme të historisë arsimore të Bytyçit, por edhe një kapitull të çmuar të jetës sime.

Kam qenë nxënës, mësues dhe drejtues i kësaj shkolle. Në të kam marrë dijet e para, kam ndarë me nxënës e kolegë përvojat më të bukura dhe kam përjetuar kënaqësinë e veçantë të të qenit pjesë e formimit të brezave. Prandaj, lidhja ime me të nuk është vetëm profesionale. Është një lidhje shpirtërore, e ndërtuar ndër vite, që koha nuk e ka zbehur, por e ka bërë edhe më të fortë.

Jam rritur me dashurinë për këtë shkollë dhe me kujtimet më të bukura që lidhen me të. Këtë ndjenjë jam përpjekur ta ruaj dhe ta përcjell edhe në librin që botova pak ditë më parë, pikërisht në prag të këtij 50-vjetori. E konsideroj atë një dëshmi dashurie, një homazh për njerëzit që i dhanë jetë kësaj shkolle dhe një kontribut modest në ruajtjen e kujtesës së saj.

Një falënderim i veçantë shkon për nismëtarët dhe organizatorët e kësaj feste, për drejtorin e shkollës, z. Junik Dunisha, që ka bërë të mundur organizimin e këtij takimi kaq domethënës, për kryetarin e Bashkisë Tropojë, z. Rexhë Byberaj, i cili e ka patur arsimin në vëmendje të punës së tij, për drejtoren e Zyrës Arsimore Vendore, znj. Shote Basha, për biznesmenin bytyças, z. Ram Geci, i cili ka kontribuuar në rikonstruksionin e shkollës, për pajisjen e saj me bazë materiale didaktike dhe e ka mbështetur financiarisht edhe këtë përvjetor, si dhe për secilin prej jush që jeni sot këtu, duke e kthyer këtë ditë në një festë të vërtetë të kujtesës dhe të krenarisë sonë të përbashkët.

Bytyçi është vendi ku linda dhe u rrita, mes njerëzve atdhetarë, punëtorë, bujarë, fisnikë dhe arsimdashës. Është vendi ku hodha hapat e parë të jetës, ku morën udhë ëndrrat e mia dhe ku u formuan bindjet e para për punën, dijen dhe të ardhmen. Është vendi im i zemrës, rrënja ime, krenaria ime!

Sa herë kthehem këtu, ndiej se një pjesë e imja nuk është larguar kurrë. Dhe sot, kur hedh vështrimin pas, më mbush me gëzim fakti se shumë prej ëndrrave që dikur dukeshin të largëta janë bërë realitet. Kjo është një nga kënaqësitë më të mëdha që mund të përjetojë njeriu, të shohë se vendi, ku u rrit dhe ku nisi rrugëtimin e tij ka nxjerrë njerëz të ditur, të aftë dhe të suksesshëm.

Kur flasim për historinë 50-vjeçare të kësaj shkolle, në të vërtetë flasim për njerëzit që e ndërtuan dhe e mbajtën gjallë atë: nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

Jam krenar për nxënësit e saj, për brezat që kanë kaluar nëpër këto banka dhe që, me dijet e fituara këtu, kanë çelur rrugët e tyre në jetë. Jam krenar për mësuesit, të cilët, përtej librave dhe programeve mësimore, na mësuan të mendojmë, të dallojmë të mirën, të besojmë te vetja dhe të mos i trembemi vështirësive.

Por, pas çdo nxënësi që ecën përpara, qëndron edhe një familje. Prindërit tanë ishin mbështetja më e madhe. Ata na falën dashuri, na mësuan ndershmërinë, na hapën horizonte dhe shpeshherë duke hequr dorë nga nevojat e tyre, bënë gjithçka që ne të kishim mundësi të arsimoheshim. Sakrifica e tyre është pjesë e çdo suksesi tonë.

Prandaj, sot nuk duhet të kujtojmë vetëm ata që mësuan dhe dhanë mësim, por edhe ata që, në heshtje, bënë të mundur këtë rrugëtim.

Le t’i nderojmë të gjithë me një duartrokitje të gjatë, të merituar dhe plot emocion!

Duke kujtuar vitet e shkollës, më vjen ndër mend se suksesi ynë mbështetej në një trinom të thjeshtë, por shumë domethënës: përqendrimi, këmbëngulja dhe vendosmëria.

Ishin këto cilësi që na ndihmuan të kapërcenim vështirësitë, të përmirësoheshim nga viti në vit dhe të ndërtonim besimin tek aftësitë tona. Jeta më ka mësuar se vendosmëria nuk është vetëm një cilësi me të cilën lindim; ajo formohet përmes përvojës, sprovohet në vështirësi dhe forcohet sa herë që nuk heqim dorë nga synimet tona.

Asnjë ëndërr nuk bëhet realitet pa përpjekje, asnjë rrugë nuk përshkohet pa këmbëngulje dhe asnjë arritje nuk ka vlerë të qëndrueshme pa karakterin që e shoqëron atë. Këto janë mësime që i kemi marrë në shkollë, por që na kanë shërbyer gjatë gjithë jetës.

Kjo festë e bukur përkon edhe me pesëvjetorin e ndarjes nga jeta të “Mjeshtrit të Madh”, Ali Mulaj. Një emër i nderuar, një bir i dashur i Bytyçit, i cili e deshi këtë krahinë dhe i kushtoi aftësitë, talentin dhe pasionin e tij zhvillimit të kulturës dhe artit të saj.

Njerëz të tillë nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten në veprat që lënë pas, në kujtesën e bashkëkohësve dhe në gjurmët që kanë hedhur në jetën e vendit të tyre. Ali Mulaj është një prej tyre. Sot e kujtojmë me mall, respekt dhe dashuri, duke nderuar njëkohësisht kontributin e tij të çmuar për Bytyçin.

Dhe, në fund, dëshiroj të them se mund të largohemi nga vendlindja, mund të ndërtojmë jetën në vende të tjera, mund të kalojnë shumë vite, por ka vende, ku zemra jonë kthehet gjithmonë. Për mua, Bytyçi dhe kjo shkollë janë pikërisht të tilla.

Uroj me gjithë zemër që shkolla “Murat Paci” të vazhdojë të jetë një vatër e dijes dhe e qytetarisë, një derë e hapur për ëndrrat e të rinjve dhe një pikë referimi për zhvillimin e kësaj treve. Uroj që brezat e ardhshëm ta pasurojnë historinë e saj me arritje të reja, ta nderojnë emrin e saj dhe të dëshmojnë se investimi më i çmuar për të ardhmen e një vendi është arsimimi.

Qofshim gjithmonë dritë dhe frymëzim për njëri-tjetrin!

Gëzuar 50-vjetorin, shkolla jonë e dashur “Murat Paci”!

Urimet më të përzemërta për ju të gjithë!

Faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Llazar Llazari: Duke kujtuar Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe dëshmorët e saj II

Albert Z. ZHOLI: LANÇ-i në këngën popullore shqiptare – epopeja e lirisë që u përjetësua në vargje dhe melodi

Kur historia doli nga faqet e librave dhe hyri në këngën e popullit Lufta Antifashiste …