Kosova ka shpenzuar 128,019,585.98 euro për importin e energjisë elektrike gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës. Sipas këtyre të dhënave, në periudhën janar–qershor janë importuar gjithsej 1,193,288.04 MWh energji elektrike. Pavarësisht kostos së lartë të importit, gjatë kësaj periudhe qytetarët janë përballur edhe me reduktime dhe ndërprerje të furnizimit me energji. Muaji janar ishte më i kushtueshmi për importin e energjisë, me 293,207.09 MWh të importuara në vlerë prej 35.8 milionë euro. Në prill u importuan 150,130.77 MWh me një kosto prej 16.9 milionë euro, ndërsa në maj u shpenzuan mbi 15.7 milionë euro për 162,362.92 MWh energji. Edhe në qershor, pavarësisht hyrjes në sezonin veror, importi mbeti i lartë. Gjatë këtij muaji Kosova importoi 236,901.41 MWh energji elektrike, me vlerë 21.9 milionë euro. Pjesa më e madhe e energjisë u sigurua nga Shqipëria, me 112,610.41 MWh në vlerë prej mbi 10 milionë eurosh, ndërsa Maqedonia e Veriut ishte furnizuesi i dytë më i madh. Të dhënat tregojnë gjithashtu se Kosova ka importuar energji elektrike edhe nga Serbia gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në tre muaj të ndryshëm janë importuar gjithsej 820 MWh energji, me një vlerë prej 91,692.39 euro. Në total, gjatë periudhës janar–qershor, Kosova importoi mbi 1.19 milionë MWh energji elektrike, duke shpenzuar mbi 128 milionë euro.
nga Gazeta Infokus.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
