“ROLI I GJYKATËS KUSHTETUESE NË REPUBLIKËN E KOSOVËS DHE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË – PERSPEKTIVË KRAHASUESE”
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK), në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), organizon më 23 tetor 2026, në orën 10:00, në sallën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Prishtinë, një konferencë shkencore kushtuar rolit të gjykatave kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Konferenca do të mbledhë akademikë, profesorë universitarë, gjyqtarë kushtetues dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të trajtojnë çështje me rëndësi të veçantë për drejtësinë kushtetuese, mbrojtjen e Kushtetutës, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Përmes një analize krahasuese të përvojave të Kosovës dhe Shqipërisë, konferenca synon të kontribuojë në zhvillimin e mendimit juridik, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe avancimin e bashkëpunimit shkencor e institucional në rajon.
Në cilësinë e propozuesit dhe koordinatorit shkencor të konferencës, kam kënaqësinë t’i ftoj të gjithë të interesuarit, përfaqësuesit e institucioneve, komunitetin akademik, juristët, studentët dhe qytetarët që kanë interes për çështjet kushtetuese, të marrin pjesë në këtë veprimtari shkencore.
Konferenca është e hapur për pjesëmarrje. Prandaj, të gjithë të interesuarit janë të mirëpritur të bëhen pjesë e këtij debati akademik, i cili synon të nxisë reflektimin shkencor mbi rolin e gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe në ndërtimin e një shteti demokratik e ligjor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
