Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme, të kryesuar nga Bekim Azizi, ku u shqyrtua dhe u miratua Projektbuxheti i Komunës për periudhën 2026–2028. Mbledhja u zhvillua mbi bazën e propozimit të Kryetarit të Komunës dhe dokumentacionit të paraqitur nga Drejtoria për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim.
Gjatë prezantimit, u paraqitën të dhënat kryesore financiare të periudhës trevjeçare. Për vitin 2026, buxheti kap vlerën mbi 18 milionë euro, ku përfshihen mbi 1.29 milion euro të hyra vetanake. Për vitin 2027, shuma arrin 18,822,498 euro, nga të cilat 17,431,697 euro vijnë nga Granti Qeveritar dhe 1,390,801 euro nga të hyrat vetanake. Ndërsa për vitin 2028, buxheti i planifikuar arrin në 19,733,692 euro, të përbëra nga 18,335,730 euro grant dhe 1,396,962 euro të hyra vetanake.
Pas shqyrtimit dhe sqarimeve të paraqitura nga Drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Milihate Ajeti, Kuvendi votoi në shumicë votash pro miratimit të Projektbuxhetit 2026–2028.
Përveç buxhetit, në rend dite u përfshi dhe u miratua edhe propozimi për shqyrtimin dhe miratimin e vendimit për shfuqizimin e Vendimit Nr. 01-110/05-1956, të datës 01.10.2025, për miratimin e Planit Ndër komunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave për komunat: Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë, Partesh, Kllokot, Ranillug, Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit dhe Shtërpcë, si dhe Vendimin për Pëlqimin Mjedisor Nr. 5496-2/25, të datës 20.08.2025, të lëshuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit dhe Infrastrukturës për Vlerësimin Strategjik Mjedisor.
Përndryshe, seanca e sotme ishte edhe e fundit në këtë përbërje.