Kuvendi Komunal në Skenderaj nderon Komandantin Legjendar Adem Jashari

Kuvendi Komunal i Skenderajt ka mbajtur seancë solemne, me rastin e Epopesë së UÇK-së, në nderim të Kryekomandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe Familjes Jashari, në 21-vjetorin e rënies heroike të tyre. Në fjalimin e tij, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka thënë se në këtë 21vjetor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë me respekt të veçantë komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, Familjen Jashari, të gjithë dëshmorët, martirët dhe viktimat civile të luftës çlirimtare të popullit tonë, për lirinë e Kosovës. “E kemi për obligim që me ndjenjën e respektit t’i përkujtojmë heronjtë, që sakrifikuan jetën dhe gjithçka që patën, që ne të jetojmë të lirë e pavarur. Amaneti i tyre na obligon të ndërtojmë një të ardhmen të ndritur, për fëmijët e Kosovës. Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes së tij! Lavdi dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve tjerë!”, ka thënë kryetari Jashari. Ndërkaq, drejtori për Arsim, Bekim Latifi, është paraqitur me fjalimin kryesor. Ky shënim solemn i Epopesë së UÇK-së, shënon 21 vjetorin e rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari së bashku me familjen emblematike Jashari. Dhe ne jemi njerëzit më me fat që jetuam epokën e Adem Jasharit, Hamzës, babës Shaban dhe të gjithë të rënëve tjerë të familjes Jashari. Me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Komandanti Legjendar dhe Familja Jashari, mposhtën frikën, duke zgjedhur rezistencën e pashembullt, na riktheu shpresën kolektive dhe na dha guxim për të vazhduar rrugëtimin tejet të vështirë, deri te liria, për të cilën nuk ka çmim që paguhet. Njerëzit e mëdhenj punojnë jo vetëm për kohën e tyre, ata punojnë me angazhim shumë të madh edhe për të ardhmen e popullit dhe kombit të vet. E tillë është Familja Jashari para veprës të të cilës heshtja jonë është gjeja më e çmuar. Distanca kohore vazhdon të rritet që nga ditët e ftohta të fillim marsit të vitit 1998, dhe me kalimin e viteve ajo do të vazhdojë të rritet akoma më shumë, sikurse rritet madhështia e figurës së Adem e Hamëz Jasharit, si bashkëluftëtarë, vizionarë dhe si lajmëtarë të lirisë. Krismat e pushkëve të tyre, do të mobilizojnë jo vetëm shqiptarët në Kosovë, por edhe kombin në tërësi dhe gjithë bashkatdhetarët në Evropë, Amerikë dhe gjithandej. Sakrifica e Familjes Jashari, në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, do të mbetet përherë pikë referimi si themeltarë të lirisë së Kosovës dhe popullit të saj. Lufta e Jasharëve ndryshoi gjithë dinamikën e zhvillimeve politike e ushtarake në Kosovë. Ajo gjithashtu ndryshoi edhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare karshi Kosovës. Sakrifica e tyre ndryshoi përgjithmonë historinë e popullit shqiptar. Kjo trashëgimi historike është vlerë e shtuar për shqiptarët kudo që ata jetojnë! Të nderuar, Prekazi dhe Drenica ishin vatra të shkëndijave të zjarrit dhe prushit të rezistencës nacionale. Aty do të zë fill një formacion ushtarak, që më vonë do të njihej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Pavarësisht se nuk kishte logjistikën e një ushtrie bashkëkohore, kjo ushtri kishte dicka më të rëndësishme; vullnetin për çlirimin e vendit, dhe kishte gjithashtu përkrahjen e gjithë popullit shqiptar. Dhe kjo ushtri fillet i kishte në Prekaz, te Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij të ngushtë, miq dhe shokë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk iu nënshtruan as ushtrisë e policisë serbe, e as sistemit prej nga vinin ato. Këtu filloi të rrjedhë liria jonë, burim prej të cilës, filluan të ushqehen e fuqizohen djem e vajza nga të gjitha trojet shqiptare. Ademi e Hamza nuk ishin vetëm, aty pranë e patën gjithë dashurinë dhe mbështetjen e secilit ushtar që tashmë po bëhej gati për luftë, të secilit oxhak të Drenicës e Kosovës. Ata u shoqëruan nga vaji i nënave e motrave tona, kishin amanetin e heronjve të heshtur në përballje me serbin. E kishin bekimin e prindërve dhe Bacit Rifat, ata kishin me vete katër lagjet që i dolën ndihmë historisë me Jasharajt ishin edhe Familjet Kodra, Meha dhe Lushtaku, me ta në luftën ballë për ballë ishin edhe Hidajetja, Valdetja, Ikballi, Ikballja, Selvetja, Afetja, Besimi, Liria, Blerimi, Fatimja, Blerina, Fitimi, Kushtrimi, Bashkimi, Iliriana, Fazliu, Rifati, Luli, Bekimi e Murati, Shqipja, Marigona dhe Besarta. Kishin dashurinë për mëmëdhe, për lirinë. Ajo forcë e jashtëzakonshme ishte e përbërë edhe nga ju, të gjithë ju, por edhe nga ata që sot nuk janë me ne në këtë shënim solemn të Epopesë, 21 vjet më pas. Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, ndodhi sakrifica e pashoqe për liri, aty ku ndodhi fillimi i fundit të Serbisë në Kosovë. Sot, në këtë 21 vjetor të epopesë së Jasharajve, vijojmë zotimin tonë, Me lavdinë e përjetshme të përkushtimit të tyre, duke punuar në zbatimin e ligjit, duke u angazhuar për mirëqenien e secilit qytetar, me transparencë dhe llogaridhënie. Sot, më shumë se kurrë, pas 21 vitesh, sendërtojmë idealet e mijëra heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të atdheut tonë, duke ndërtuar shtet ligjor, shtet ku sundon ligji. Nuk jemi të kënaqur me të arriturat, por, ne nuk do të ndalemi, të punojmë çdo ditë e çdo orë, që amaneti i tyre të realizohet, për një shtet çfarë e dëshiruan, më të mirin, më të denjin për qytetarët tanë, për fëmijët tanë. Në këtë 21 vjetor të Epopesë së Jasharajve, dhe 11 vjetorin e Pavarësisë, jemi krenar me të arriturat, por, ne mundemi edhe më shumë të bëjmë në rrugën e amanetin e të gjithë kontribuuesve për lirinë tonë. Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit!

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti i nderon me mirënjohje të pensionuarit Agush Hasani dhe Samet Zuka

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit në Viti, …