Brickos

Kuvendi i Komunës së Ferizajt mori një sërë vendimesh

Kuvendi Komunal i Ferizajt ka mbajtur seancën e rregullt, në të cilën ka shqyrtuar disa çështje me interes, ndër tjerash edhe propozimin për ndarjen e një parcele për varreza në afërsi të varrezave të qytetit, meqë deri më tani nuk është funksionalizuar hapësira e caktuar për varreza në fshatin Balaj, nga kundërshtimi edhe i banorëve të këtij fshati.

Kjo pikë ka ngjallur polemika mes kreut komunal dhe këshilltarëve të PDK-së, pasi këta të fundit vlerësonin se pushteti lokal tash e sa kohë nuk ka arritur ta implementojë këtë projekt. Medain Hashani nga PDK-ja ka thënë se kuvendi para dy vitesh ka miratuar këtë vendim, por që deri më tani ka ngelur vetëm në letër, ngaqë pushteti është treguar neglizhent për realizimin e tij, duke polemizuar kështu me kreun komunal, Muharrem Svarqa, i cili ka theksuar se reagimi i banorëve është rezultat i politikës, ndërsa këshilltari tjetër nga kjo parti, Mustafë Grainca, ka thënë se kush mund të garantojë se nuk do të ketë protestë të banorëve edhe për parcelën që po flitet tani.

Nehat Baftiu ndërkaq i tha kryetarit se tashmë qenka dorëzuar dhe se me ndarjen e parcelës prej 30 ari, në afërsi të varrezave, po do dikujt t’i lë në dorë “pataten e nxehtë”, Svarqa u kundërpërgjigj duke i thënë këshilltarit të PDK-së, se zgjedhjet sërish do t’i fitojë.

“Po e shoh se e paske filluar fushatën pak herët. Dil ti kandidat, pastaj të tregoj unë se kush do të fitojë. Unë kam për të fituar me votat e qytetarëve dhe gjysmës e votave të PDK-së, më shumë se sa ti kishe fituar vota me PDK-në”, ka thënë Svarqa, duke e vlerësuar këtë të jetë një papërgjegjësi për një çështje të ndjeshme për të cilën po flitet. Këshilltarët komunal me shumicë votash i dhanë dritë jeshile ndarjes së kësaj parcele.

Kuvendi ka propozuar që të fillohet me procedura për hartimin e hartës zonale të Ferizajt, ndërsa u mor vendimi për lirimin nga taksat komunale për shfrytëzuesit e pronës së paluajtshme në një periudhë afatgjatë. Në këtë seancë u debatua edhe për raportin financiar si dhe për korrigjimin e bartjes së mjeteve vetanake nga viti 2015 në vitin 2016.

 Po në këtë seancë u mor vendimi për mbulimin e shpenzimit të varrimit për qytetarët e Ferizajt, me një vlerë prej 270 eurosh.

Kryetari Svarqa theksoi se mënyra dhe forma e kompensimit do të mbështetet ne praktikat e deritashme të komunave fqinje, që mund të jetë në formë të memorandumeve të bashkëpunimi me bashkësitë fetare apo të kompensimit direkt.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …