Malisheva planifikon buxhetin bashkë me qytetarët

Në kuadër të hartimit të projekt buxhetit për vitin 2026, Komuna e Malishevës, përkatësisht kryetari Ekrem Kastrati, bashkë me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, z. Blerim Thaqi kanë filluar mbajtjen e dëgjimeve buxhetore, apo konsultimeve me qytetarë për planifikimin e buxhetit dhe orientimin e investimeve kapitale, duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve.

“Qëllimi ynë është i qartë, të investojmë aty ku ka më së shumti nevojë, aty ku vet qytetarët na tregojnë. Buxheti nuk është thjesht një dokument, është plani ynë i përbashkët për të ardhmen. Prandaj, ne duam që çdo investim të jetë i udhëhequr nga kërkesat e qytetarëve, sepse ata e dinë më mirë se kushdo çfarë i mungon dhe çfarë i duhet vendbanimit të tyre”, tha mes tjerash kryetari Kastrati, gjatë takimeve të mbajtura dje me banorët e fshatrave Ngucat, Temeqinë, Bellanicë dhe Bardh. Kastrati, gjithashtu ka thënë se në katër vitet e kaluara, investimet kanë qenë të fokusuara në qytet, për shkak të nevojës urgjente që ka pasur qyteti, ndërsa vitet në vazhdim, investimet do të orientohen më shumë në fshatëra.

Në fillim të këtyre takimeve, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, prezantoi qarkoren buxhetore për vitin 2026. Ai bëri të ditur se buxheti i planifikuar për Komunën e Malishevës arrin rreth 22 milionë euro, nga të cilat mbi 5.2 milionë euro janë të dedikuara për investime kapitale. “Duke shtuar të hyrat vetanake, synojmë që shuma e investimeve kapitale të arrijë deri në 6 milionë euro. Por më e rëndësishmja është që këto investime të pasqyrojnë realisht prioritetet e qytetarëve, prandaj jemi këtu, për t’i dëgjuar nga afër,” shtoi Thaçi.

Më pas, gjatë këtyre takimeve, janë dëgjuar kërkesat e qytetarëve, varësisht nga vendbanimi i tyre, ndërsa qytetarët mendojnë më shumë në vazhdimin e investimeve në infrastrukturë në përgjithësi, sikur rrugë, kanalizime, ndriçim publik, trotuare, por edhe në fushën e bujqësisë dhe fusha tjera, duke krijuar lehtësi për zhvillim.

Kontrolloni gjithashtu

U mbajt mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi

Në sallën e konferencës të Kompleksit Muzeor “Ukshin Hoti”- në Krushë të Madhe u mbajt …