Me Ditët Vetëdijësuese “Rri n’Kosovë, se ma mirë s’ka”, u mbajt aktiviteti i radhës në Rahovec

Me Ditët Vetëdijësuese “Rri n’Kosovë, se ma mirë s’ka”, sot vazhduam në Komunën e Rahovecit. Kjo iniciativë është në kuadër të iniciativës “Le të flasim”, që synon fuqizimin e të rinjve në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë Drejtori për Ekonomi, Zhvillim dhe Turizëm, në komunën e Rahovecit, z. Erhan Morina, , zyrtar komunal, përfaqësues nga Ministria për Zhvillim Rajonal, drejtori i Qendrës për Aftësim Profesional, përfaqësues nga organizata INTEGRA, Zyra e Punësimit në Rahovec, si dhe një numër i konsiderueshëm i të rinjve dhe qytetarëve të komunës.

Qëllimi i aktivitetit ishte të inkurajojë të rinjtë që të mos e braktisin vendin, por të shohin dhe zhvillojnë potencialin e tyre këtu, duke kontribuar në ndërtimin e së ardhmes në komunitetet e tyre.

Të rinjtë patën mundësi të ndajnë shqetësimet e tyre përballë përfaqësuesve institucionalë dhe diskutuan për sfidat si papunësia, mungesa e mbështetjes për ide dhe projekte rinore, por edhe vizionet e tyre për një të ardhme më të mirë në Kosovë.

Përfaqësuesit institucionalë dëgjuan me vëmendje të rinjtë dhe ndanë informacione konkrete mbi mundësitë dhe projektet që mbështesin zhvillimin e tyre. Kryetari i komunës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me rininë dhe u vlerësua nga organizata INTEGRA me një mirënjohje për angazhimin e tij.

Dita Vetëdijësuese “Rri n’Kosovë, se ma mirë s’ka” në Rahovec vërtetoi rëndësinë e dëgjimit dhe përkrahjes së të rinjve, të cilët u ndjenë të motivuar për të vepruar, ndërsa institucionet shprehën gatishmëri për bashkëpunim në fuqizimin e tyre si motor i zhvillimit dhe shpresës për të ardhmen e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Haliti nderoi me mirënjohje Vilson e Robert Gega nga Binça për kontributin ndaj zjarrfikësve vitias

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në takim dy mërgimtarët Vilson …