leoni

Miratohet Ligji për Sponsorizime në kulturë rini e sport

Pas propozimit të Ligjit të Sponsorizimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas miratimit në Qeveri dhe leximit të parë në Kuvendin e Kosovës, akti normativ në fjalë, miratohet në lexim të dytë të premten, nga deputetët e Kosovës.

Ky ligj ka për qëllim që të rregullojë kushtet, përkrahjen dhe mbështetjen financiare dhe përcakton përfitimet për sponsorët dhe donatorët që financojnë aktivitetet në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit.

Me këtë akt ligjor, për herë të parë vihen bazat juridike për trajtimin, rregullimin dhe njohjen e sponsorizimeve dhe të donacioneve për të krijuar kushte më të mira për fushat e lartpërmendura.

Ligji për sponosorizime do të rregullojë marrëdhëniet, kushtet dhe nivelin e lehtësirave financiare për personat fizikë dhe juridikë, të cilët me vullnet të lirë sponsorizojnë apo bëhen donatorë të këtyre fushave me interes të veçantë publik.

Kontrollimin e shfrytëzimit të Sponsorizimit dhe Donacioneve, në bazë të ligjit do ta realizojnë Administrata Tatimore e Kosovës dhe organet tjera kompetente, duke e pasur të drejtën se në rast të evidentimit të parregullsive të kenë mundësinë e parashtrimit të kallëzimeve penale ose kundërvajtëse sipas legjislacionit në fuqi.

MKRS-ja vlerëson se me kalimin e këtij ligji, krijohen kushte shumë më të volitshme dhe lehtësira financiare për zhvillimin e kulturës, sportit dhe rinisë dhe do të ndikojnë në ngritjen e standardeve dhe cilësisë në këto sfera. Gjithashtu, ky ligj hap rrugën që sektori i biznesit të nxitet që të investojë në fushat e sipërpërmendura dhe kësisoj të kenë lehtësira në tatime.

Ligji do të futet në fuqi pesëmbëdhjetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Kontrolloni gjithashtu

Qendra për Arte, Kulturë dhe Inovacion “Abdullah Bugari”, drejt finalizimit

Qendra për Arte, Kulturë dhe Inovacion “Abdullah Bugari” është drejt finalizimit si projekt i bashkëfinancuar …