Stavileci: Fabrika e ujit në Shkabaj projekti më i rëndësishëm në sektorin e ujërave

Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa pasur sektor të qëndrueshëm të ujit të pijes, atij industrial si dhe ujitjes, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci gjatë vizitës që i bëri fabrikës së përpunimit të ujit në fshatin Shkabaj, e cila ndodhet në fazën e përfundimit.

Kreu i MZHE-së gjatë vizitës në fabrikën e ujit dhe stacionet e pompimit, është shoqëruar nga zyrtarë të BE-në në Prishtinë dhe anëtarë të Bordit  dhe Menaxhmentit të KRU Prishtina.

“Duke i ditur afatet kohore kemi vendosur të dalim dhe të shohim nga afër si janë zhvilluar punët dhe për të parë se cilët janë hapat vijues drejt realizimit final të këtij projekti. Është një projekt kryevepër infrastrukturore, është njëri nga projektet më të  rëndësishme dhe më të mëdha në sektorin e ujërave”, tha Stavileci.

Sa i përket investimeve në sektorin e ujërave edhe të ngrohjes, sipas Stavilecit,  kjo fabrikë do të jetë njeri nga modelet sikur që është sot Termokosi për koogjenerim, ndërsa nga ky projekt do të përfitojnë Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova dhe Graçanica, dhe  do të ketë edhe një varg përfitimesh tjera indirekte që do të sjellë.

Ministri Stavileci ka falënderuar, Komisionin Evropian, Gjermaninë, Zvicrën, Luksemburgun dhe donatorët tjerë që kanë mbështetur sektorin e ujërave, duke theksuar se angazhimet e Qeverisë nuk përfundojnë me kaq, por në kuadër të reformave ekonomike do të ketë projekte investive në këtë sektor, i cili do të jetë në shërbim të gjithë qytetarëve të vendit.

Nga ana tij, Thomas Gnochi shef i seksionit politik, ekonomik dhe integrim evropian në Zyrën e BE-së në Prishtinë, tha se përmes këtij projekti do të furnizohen jo vetëm qytetarët e Prishtinës me ujë, por edhe komunat përreth, ku qytetarët do të kenë benefite në mënyrë direkte.

“Për ne është kënaqësi që kemi pas mundësinë që të kontribuojmë në këtë projekt me shumën rreth 5 milionë euro në grante, së bashku me donatorë të tjerë, veçanërisht me KfW. Pra, ky është projekt i rëndësishëm ngase furnizimi me ujë është i qenësor për të mirën e qytetarëve dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, tha Gnochi.

Kryesuesi i Bordit të KRU Prishtina, Amir Gashi ka bërë të ditur se Fabrika në Shkabaj është në përfundim e sipër, tani priten të bëhen testimet nga fillimi i vitit të ardhshëm, të cilat testime do të bëhen së bashku me ndërkombëtarët dhe punë kryesit.

Ilir Avdullahu – Kryeshef i KRU “Prishtina”, tha se gjithçka po shkon mirë dhe beson se uji do të mbërrin te konsumatorët rreth marsit 2017, ndërsa kapaciteti përpunues i fabrikës do të jetë 700/l për sekondë.

Ndryshe, vlera e përgjithshme e këtij projekti është 30 milionë euro, nga të cilat 20 milionë kredi nga Ujësjellësi Prishtina nga KFË, 5 milionë euro grante nga Komisioni evropian, 5 milionë nga Qeveria e Kosovës dhe  5 milionë nga Komuna e Prishtinës.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen e mbetur për regjistrim

Komuna e Deçanit ju bënë thirrje të gjithë qytetarëve të sajë që ta shfrytëzojnë kohen …