Në Pejë nis ndërtimi i Qendrës nacionale të xhudos

Kosova do të ketë Qendrën Kombëtare të Xhudos, e cila do të ndërtohet në qytetin e Pejës, investim i përbashkët i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Federata së Xhudos të Kosovës (FXHK) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Xhudos. Të pranishëm në ceremoninë e vënies së gurthemelit të kësaj qendre ishin personalitete të shquara të komunitetit sportiv, Ministrja Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga dy zëvendësministrat Arbër Grabovci dhe Engelbert Zefaj, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, të udhëhequra nga kryetari Besim Hasani, drejtuesit e FXHK-së me në krye Agron Kuka, xhudistët e klubit “Ippon” nga Peja dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ministrja Dumoshi ka vlerësuar me këtë rast se vënia e gurthemelit të Qendrës Kombëtare të Xhudos është një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme për sportin e xhudos. Ministrja solli në kujtesë bisedën me kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer. “Sapo kam marrë drejtimin e MKRS-së si ministre jemi takuar me z. Vizer bashkë me kryetarin e Federatës, presidentit e KOK-ut dhe trajnerin Driton Kuka dhe kemi biseduar, dhe ai në një moment më ka thënë: A po më siguron që do të filloni ndërtimin e kësaj qendre? Ia kemi dhënë fjalën dhe ja sot kjo gjë u bë realitet dhe për këtë nismë e falënderojmë edhe z. Vizer”, tha ministrja Dumoshi. Ndërsa, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, u shpreh se xhudistëve kosovar vetëm infrastruktura i ka munguar dhe sipas tij sukseset në këtë sport do të jenë edhe më të mëdha. Kryetari i Federatës së Xhudos të Kosovës, Agron Kuka u shpreh se kjo qendër do të jetë qendra nga e cila do të dalin xhudistët më të mirë në Kosovës, të cilët do korrin edhe suksese ndërkombëtare. Ai falënderoi MKRS-në dhe ministren Dumoshi për përkrahjen e pakursyer për zhvillimin dhe avancimin e sportit të xhudos në Republikën e Kosovës. MKRS-ja për këtë projekt infrastrukturor fizik në fushën e sportit ka ndarë shumën financiare prej 300 mijë euro, dhe për këtë ka nënshkruar memorandum në fund të muajit prill.

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim për ndëprerje të qarkullimit rrugor në rrugën “Ilaz Kodra”

Me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e urës së re mbi Lumin “Klina” …