Nën organizimin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti, u promovuan dy librat e autorit Ardian Haziri, “Brenda vargut” dhe “Figurat stilistike të poezisë shqipe nga burgu”, aktivitet ky që mblodhi studiues, profesorë universitarë, krijues dhe dashamirë të letërsisë
Në këtë promovim, nga një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe zv.kryetari i komunës së Vitisë Hasan Aliu, si dhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Valmir Sahiti. Kurse kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe krijuesve në Viti “Ramadan Musliu”, Fadil Abazi, falënderoi pjesëmarrësit dhe vlerësoi kontributin e autorit Ardian Haziri në pasurimin e bibliotekës shqipe me studime të mirëfillta dhe poezi me peshë.
Folësit në këtë promovim theksuan se këto dy vepra trajtojnë dimensione të rëndësishme të krijimtarisë poetike dhe të analizës së saj stilistike, përmes së cilave, autori sjell reflektime dhe qasje studimore mbi poezinë shqipe, duke e ndërlidhur atë edhe me përvojën dhe kontekstin e krijimit në rrethana të veçanta.
Rreth vlerave letrare të këtyre librave folën profesorë dhe studiues të njohur të fushës së letërsisë, recensenti i librave, prof. dr. Bajram Kosumi, redaktori prof. dr. Merxhan Avdyli etj. Ata ndanë me publikun vlerësimet dhe analizat e tyre për kontributin që sjell autori në studimin dhe pasurimin e poezisë shqipe.