Komuna e Skenderajt, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, njofton se, bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), si dhe për shkak të reshjeve të fundit dhe situatës së vështirësuar në disa zona të komunës, fillimi i procesit mësimor shtyhet deri më 12 janar 2026.
Si pasojë e vërshimeve dhe qarkullimit të vështirësuar, pushimi dimëror do të vazhdojë edhe më 8 dhe 9 janar 2026, ndërsa mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026, në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar dhe institucionet parashkollore në Komunën e Skenderajt. Ky vendim është marrë për të ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve, bazuar në kushtet e krijuara së fundmi.
Procesi edukativ do të vazhdojë të hënën, më 12.01.2026.
Orët e humbura mësimore do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor, sipas udhëzimeve të MASHT-it.
Siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor.