Nuk mund të ketë dy të vërteta, Komuna e Ferizajt është kampione e transparencës në nivel vendi, nuk marrim përgjegjësi për dështimet teknike të GAP-it
Lidhur me publikimin e djeshëm të “Indeksit të Transparencës Buxhetore të Komunave” nga Instituti GAP, ku Komuna e Ferizajt padrejtësisht e në kushte të gjykimit jo objektiv, vlerësohet me 47.5 pikë, me qëllim të sqarimit të së vërtetës për opinionin publik, njoftojm se me të publikuar këtë dokument i kemi reaguar me shkresa zyrtare Institutit GAP ku kemi kërkuar sqarime lidhur me këtë publikim.
Ne me kohë dhe me të gjitha dokumentet që i kemi bashkëngjitur Institutit GAP i kemi dëshmuar përmbushjen e treguesve që janë pjesë e matjes. Ato si të tilla, pa u vlerësuar fare, për arsye të dështimeve teknike, jo në kompetencë e përgjegjësinë tonë, nuk janë pasqyruar fare në Indeksin e publikuar dje. Madje për to nga Instituti GAP nuk është kërkuar asnjë sqarim shtesë, e si rrjedhojë, pra pa asnjë kërkesë për sqarim ndaj nesh, pa korrektësinë që do të duhej të kishte një raport shumëvjeçar i bashkëpunimit mes nesh, është proceduar me publikim të Indeksit nga Instituti GAP, duke ranguar Ferizajn padrejtësisht e jo realisht në këtë vlerësim.
Rikujtojmë se pak javë më parë ishte pikërisht Komuna e Ferizajt që nga KDI u shpall Kampion i Transparencës në Kosovë, e vërtetë e pamohueshme dhe lehtë e faktueshme. Madje edhe nga Instituti GAP vitin e kaluar u vlerësuam me 95 pikë nga 100 sosh për transparencë buxhetore. Si është e mundur një rënie e tillë për këtë vit, që nuk ka shpjegim as racional e as logjikë, krahasuar me vitet paraprake ku vazhdueshëm kemi shënuar ngritje!!! Dy të vërteta nuk mund të ketë, është puna jonë, qasja ndaj qytetarëve, vlerësimi i tyre e vlerësimet e mekanizmave vendor e të huaj në çdo matje, tregues i transparencës sonë të plotë në të gjitha fushat.
Ferizajasit njohin transparancën e qeverisjes lokale, së cilës i dhanë besim e çdo ditë i japin mbështetje në punët e nismat në dobi të tyre.